Ronaldo Fenomeni tregon arsyen që askush nuk e dinte për largimin e tij nga Barcelona

“Fenomeni” Ronaldo ka zbuluar një nga episodet interesante që përfundimisht çoi në largimin e tij nga Barcelona në vitin 1997.

Legjenda braziliane qëndroi vetëm një sezon te Barcelona dhe këmbëngul se ishte i lumtur në klub. Madje, ai kishte arritur një marrëveshje për të qëndruar. Por më pas drejtuesit e Barcelonës ndryshuan qëndrim dhe marrëdhënia e tij me klubin katalanas u prish.

Gazeta “Sport” publikoi deklaratat e ish-yllit brazilian, i cili tha: “Isha i lumtur te Barcelona. Agjenti im ishte atje dhe në fund ata arritën një marrëveshje”.

Ai shtoi: “Më telefonuan në atë kohë dhe më thanë: ‘Shiko, kemi një marrëveshje. Do të qëndrosh me ne me një kontratë të re te Barcelona. Jemi shumë të lumtur dhe Barcelona është e lumtur’”.

Por vetëm disa ditë më vonë, gjithçka ndryshoi. Ronaldo thotë se tre ditë pas asaj bisede, Barcelona ndryshoi qëndrimin dhe i hapi derën për t’u larguar.

“Fenomeni” shpjegoi: “Tre ditë më vonë më telefonuan dhe më thanë: ‘Shiko, nuk mund ta nënshkruajmë këtë kontratë me ty. Nëse ke mundësi të largohesh, gjithçka që duhet të bësh është të sjellësh paratë e nevojshme për të paguar klauzolën e lirimit dhe më pas mund të largohesh’”.

I zhgënjyer thellë nga ky ndryshim qëndrimi, Ronaldo vendosi të gjente një mënyrë për t’u larguar.

“U thashë: ‘Shikoni, nuk ndihem më rehat të qëndroj te Barcelona, sepse këta njerëz nuk i qëndrojnë fjalës së dhënë. Prandaj dua të largohem’”.

Në fund, ai zbuloi se Interi ndërhyri dhe siguroi transferimin e tij. “Interi hyri në garë. Ata i paguan Barcelonës, besoj se shuma ishte 40 milionë euro në atë kohë, dhe ishte një shumë e jashtëzakonshme. Kështu që u largova drejt klubit italian”./GazetaExpress/