Cristiano Ronaldo rikthehet në faqet e para të mediave portugeze, por këtë herë jo për ndonjë paraqitje të shkëlqyer.
Ish-ylli i Real Madridit dhe Juventusit nuk luajti asnjë minutë në fitoren 2-1 të Portugalisë ndaj Norvegjisë dhe duket se nuk e ka pritur mirë vendimin e trajnerit Jorge Jesus.
Në vazhdën e kësaj situate është lidhur edhe mungesa e tij në stërvitjen e së hënës, shkruan gazeta portugeze “O Jogo”, përcjell “Gazeta Express”.
Sot, Jorge Jesus do të dalë në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes së radhës ndaj Danimarkës dhe kjo pritet të jetë mundësia për ta sqaruar situatën që e ka tërhequr vëmendjen e madhe në Portugali.
Madje, në këtë çështje është përfshirë edhe presidenti i Federatës Portugeze të Futbollit, Pedro Proença, i cili të martën ishte i pranishëm në Kopenhagë për të ndërmjetësuar lidhur me situatën e krijuar rreth Cristiano Ronaldos.
Sipas pjesës më të madhe të mediave portugeze, ndërmjetësimi duket se ka dhënë rezultat.
Sipas “O Jogo”, futbollisti i Al-Nassr e kishte pritur shumë keq faktin që Jorge Jesus i kishte premtuar se do të luante 30 minuta ndaj Norvegjisë, por më pas e la të gjithë ndeshjen në stol.
Megjithatë, mbrëmjen e së martës ka pasur një bisedë mes trajnerit dhe kapitenit të Portugalisë.
Sipas raportimeve, biseda mes të dyve ka shkuar mirë dhe ka lënë përshtypje pozitive.
A është mbyllur çështja? Kjo pritet të kuptohet në orët në vijim. /Gazeta Express

