Ernest Muçi po përjeton atë që është padyshim sezoni i tij më i mirë në karrierë. Futbollisti ka shkëlqyer me gola dhe asiste në radhët e Trabzonsporit, duke e kthyer këtë skuadër në një pretendente për vendet në podiumin e kampionatit turk.
Ai është dhënë në huazim nga Beshiktashi te klubi i tij aktual, por tashmë në Turqi të gjithë janë të sigurt se Trabzonspori do të aktivizojë klauzolën për blerjen e tij në mbyllje të këtij edicioni. Klubi do të paguajë 8,5 milionë euro dhe kjo do ta bëjë Muçin rekordmen.
Muçi vendosi rekord kur u transferua nga Legia te Beshiktash për 10 milionë euro, duke u bërë asokohe futbollisti më i shtrenjtë i blerë nga klubi i qytetit të Stambollit. Tani ai do të bëhet rekordmen në klubin e dytë radhazi, pasi shifra 8,5 milionë euro, do të jetë më e larta që Trabzonspor ka shpenzuar ndonjëherë në historinë e tij.
Rekordi i mëparshëm i përkiste transferimit të Gokhan Ynal, i cili u transferua te kjo skuadër për 6,2 milionë euro në vitin 2008. Me transferimin e tij, Muçi do të bëjë që të harrohet ai i ish-sulmuesit të përfaqësueses turke.
PANORAMASPORT.AL

