S’ka drejtuar më parë ndeshje profesionale, trajneri i përkohshëm i Chelseat ndeshet me Cityn e Guardiolës

Gjatë ditës së djeshme, Chelsea konfirmoi edhe zyrtarisht largimin e trajnerit, Enzo Maresca.

Trajneri italian u largua nga klubin londinez me marrëveshje të dyanshme.

Maresca e lë klubin para një ndeshje mjaft të vështirë, asaj ndaj Manchester Cityt në Premierligë.

Në këtë ndeshje, Chelsean do ta drejtojë trajneri i akademisë, më saktë i Chelseat U21, Calum McFarlane.

Mediumi i njohur anglez, The Sun shkruan rreth trajnerit 40-vjeçar – i cili nuk ka drejtuar më parë asnjë ndeshje profesionale – dhe sjellë profilin e tij.

Më poshtë mund të lexoni artikullin e plotë:

A ka pasur ndonjëherë një mospërputhje më të madhe trajnerësh në historinë e Premierligës sesa kjo?

Pa diskutim një nga trajnerët më të mirë të të gjitha kohërave, Pep Guardiola, do ta ndajë vijën anësore me trajnerin e Chelseat U21, Calum McFarlane, kur Manchester City të përballet me “Blutë” të dielën.

McFarlane do të dalë në vijën anësore si trajner i Chelseat, pavarësisht se nuk ka drejtuar kurrë në jetën e tij një ndeshje të futbollit profesionist në nivel senior.

Përballë tij do të jetë Guardiola, i cili do të drejtojë ndeshjen e tij të 1012-të si trajner.

Por, ashtu si Enzo Maresca, të cilin McFarlane po e zëvendëson përkohësisht ndërsa drejtuesit kërkojnë një trajner afatgjatë, edhe ai më parë ka qenë pjesë e stafit të akademisë së Manchester Cityt.

Ai kaloi në trajnim pasi vendosi të mos ndiqte një karrierë si futbollist profesionist.

Gjatë katër viteve te Man City, ai u njoh me drejtorin teknik të akademisë së Chelseat, Glenn van de Kraan, dhe Joe Shields, bashkëdrejtorin aktual të rekrutimit dhe talenteve te Chelsea.

Në “Etihad”, ai punoi kryesisht si ndihmëstrajner i ekipit U18 të Cityt.

Ai do të ishte njohur gjithashtu edhe me Marescan, pasi italiani punonte në akademinë e Cityt në të njëjtën periudhë, përpara se të bëhej krahu i djathtë i Guardiolës.

McFarlane, 40 vjeç, iu bashkua Chelseat pas dy vitesh në krye të Southampton U21 dhe deri tani ka qenë i suksesshëm me “Blutë”.

Ky është sezoni i tij i parë si trajner në akademinë e Chelseat dhe deri tani ka udhëhequr ekipin U21 drejt vendit të katërt në Premierligë 2 pas nëntë ndeshjesh, si dhe drejt kryesimit të renditjes në UEFA Youth League.

Disa nga lojtarët e tij kyç, Reggie Walsh dhe Shim Mheuka, janë shpërblyer tashmë me minuta në ekipin e parë këtë sezon nga Maresca.

Dhe, njësoj si italiani, ai preferon ta rreshtojë skuadrën në një variant të formacionit 4-2-3-1.

Hierarkia e Chelseat e sheh trajnerin e përkohshëm si një “yll në rritje” në botën e menaxhimit të futbollit.

Dhe nëse gjithçka shkon sipas planit të drejtuesve, McFarlane – i cili madje iu desh të përditësonte kartën e sigurisë për të drejtuar stërvitjet e ekipit të parë – ka shumë gjasa të ketë një rol në modelin e zhvillimit multi-klub të Chelseat, qoftë te Strasbourgu apo diku tjetër me kalimin e kohës.

Sezonin e kaluar, Chelsea “me hezitim pranoi” ta lejonte të fliste me Celticun për një rol trajneri, por kjo nuk u konkretizua.

Tani, me “Blutë” që kanë nevojë për një rezultat ndaj Manchester Cityt të vendit të dytë, ose rrezikojnë të largohen edhe më shumë nga zonat e Ligës së Kampionëve, besimi që klubi ka te ai do të vihet seriozisht në provë./GazetaExpress/