Arsenal po përgatit një përpjekje të fundit për transferimin e sulmuesit të Atlético Madrid dhe kombëtares së Argjentinës, Julián Álvarez.
Sipas raportimeve të fundit, klubi londinez është rikthyer fuqishëm në garë për ish-sulmuesin e Manchester City, ndërsa vetë Atlético Madrid preferon që, nëse vendos ta shesë, ai të transferohet në Premier League dhe jo te një rival direkt në La Liga.
Barcelona ka qenë e interesuar për Álvarez gjatë gjithë verës, por Atlético thuhet se ka mbyllur derën për një transferim te kampionët spanjollë, pasi nuk dëshiron të përforcojë një kundërshtar të drejtpërdrejtë.
Atlético preferon Arsenal si destinacion
Sipas “SPORT”, Arsenal është destinacioni i preferuar i Atlético Madrid për Álvarez dhe “të gjitha shenjat” aktualisht çojnë drejt një rikthimi të mundshëm të argjentinasit në Angli.
Raportohet se “Topçinjtë” janë të gatshëm të përfshijnë Viktor Gyökeres në marrëveshje, së bashku me një shumë prej rreth 80 milionë eurosh.
Përveç kësaj, Arsenal thuhet se është gati t’i ofrojë Álvarez një pagë prej rreth 25 milionë eurosh bruto në sezon, çka do ta bënte atë një nga futbollistët më të paguar në skuadër.
Një transferim i tillë do t’ia dyfishonte pothuajse pagën që sulmuesi merr aktualisht, por mbetet për t’u parë nëse 26-vjeçari do të pranonte të rikthehej në Premier League, pasi më herët nuk kishte treguar dëshirë për një kthim në Angli.
Gyökeres mund të përfshihet në marrëveshje
Viktor Gyökeres iu bashkua Arsenal vetëm verën e kaluar nga Sporting CP për rreth 55 milionë paund dhe shihej si zgjidhja afatgjatë për repartin ofensiv.
Suedezi realizoi 21 gola në sezonin debutues, por në pjesën e fundit të edicionit humbi vendin e titullarit, ndërsa Kai Havertz nisi të përdorej më shpesh në qendër të sulmit në ndeshjet më të rëndësishme.
Havertz ka vazhduar të jetë zgjedhja e parë e Mikel Artetas edhe këtë sezon, duke shënuar në dy fitoret radhazi 3-0 ndaj Manchester City dhe Coventry City, fillimisht në Community Shield dhe më pas në Premier League.
Gyökeres mbeti rezervë e papërdorur në “Emirates” të premten mbrëma dhe raportohet se ndërkohë i është ofruar në mënyrë të përsëritur Barcelonës.
Megjithatë, një tjetër destinacion i mundshëm për të mund të jetë pikërisht Atlético Madrid.
Atlético kërkon sulmues të ri
Klubi madrilen është në kërkim të një sulmuesi të ri për shkak të situatës së Álvarez dhe dëmtimit të Alexander Sørloth.
Drejtori sportiv Mateu Alemany ka qenë në Londër për negociata dhe të enjten zhvilloi bisedime për një huazim të mundshëm të Nicolas Jackson nga Chelsea.
Ndërkohë, Fabrizio Romano ka raportuar se edhe Arsenal zhvilloi një takim me Alemany, ku drejtuesit londinezë kërkuan informacion për kushtet e mundshme të transferimit të Álvarez.
Problemi kryesor mbetet çmimi i kërkuar nga Atlético, i cili konsiderohet shumë i lartë nga Arsenal. Pikërisht për këtë arsye, përfshirja e Gyökeres në marrëveshje mund ta bëjë operacionin më të realizueshëm.
Tension mes Atlético dhe përfaqësuesve të Álvarez
Situata është komplikuar më tej pas deklaratave të drejtorit ekzekutiv të Atlético Madrid, Miguel Ángel Gil Marín.
Ai deklaroi se klubi dëshiron ta mbajë Álvarez në “Metropolitano”, por shkaktoi reagime kur tha:
“Duhet ta kuptojmë se Julián nuk ka pasur këshilltarët më të mirë rreth vetes për sa i përket karrierës së tij profesionale gjatë muajve të fundit.”
Pak më vonë, agjenti i Álvarez, Fernando Hidalgo, publikoi në Instagram një mesazh që u interpretua si përgjigje ndaj Gil Marín:
“Mos e pyet kurrë një gënjeshtar pse gënjeu. Për ta shpjeguar, do t’i duhej të gënjente përsëri.”
Arsenal tani po përpiqet ta shfrytëzojë këtë situatë dhe të realizojë një nga transferimet më të mëdha të merkatos, por marrëveshja mbetet komplekse dhe do të varet si nga kërkesat financiare të Atlético Madrid, ashtu edhe nga gatishmëria e vetë Álvarez për t’u rikthyer në Premier League. /GazetaExpress/

