Trajneri i njohur holandez, Dik Advokat, ka marrë vendimin për t’u larguar nga drejtimi i përfaqësueses së Kuraçaos, me të cilën regjistroi arritjen unike të kualifikimit në Kupën e Botës si shteti më i vogël nga popullsia dhe sipërfaqja që merr pjesë në një turne të tillë.
Advokat ka vendosur të largohet nga drejtimi katër muaj para aktivitetit për arsye personale, pasi është mësuar se do të jetë gjithë kohës në vendlindjen e tij për t’u kujdesur për vajzën e cila po kalon një situatë të rëndë shëndetësore.
“Unë e kam thënë gjithmonë që familja vjen para futbollit. Ndaj ky është një vendim natyral. Por pasi e them këtë, unë do ia ndjej shumë mungesën Kuraçaos, njerëzve atje dhe kolegëve. E cilësoj kualifikimin e një prej kombeve më të vogla në botë, si një nga majat e karrierës time. Jam krenar për lojtarët, stafin dhe bordin drejtues që besoi te ne”, ishin fjalët e Advokat në komunikatën që bënte të ditur largimin e tij.
Drejtimin e skuadrës do e marrë një tjetër holandez, Fred Ruten. Advokat kishte munguar edhe në ndeshjen vendimtare në nëntor ndaj Xhamajkës në Kingston, pasi ishte detyruar të kthehej në shtëpi për shkak se gruaja e tij ishte e sëmurë. Ai u raportua se kishte shpëthyer në lot para TV-së pasi ekipi i tij barazoi 0-0 dhe shkroi historinë.
PANORAMASPORT.AL

