Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Ardian Ismajli, u detyrua të largohet herët nga fusha në ndeshjen Como – Torino, e cila u mbyll me rezultatin 6–0. Ismajli nuk arriti të rezistojë më shumë se 21 minuta lojë, pasi pas një vrapimi të gjatë pësoi tërheqje muskulore.
Edhe pse mori menjëherë ndihmën e stafit mjekësor, 29-vjeçari nuk ishte në gjendje ta vazhdonte ndeshjen dhe u zëvendësua. Kjo situatë shton edhe më shumë shqetësimin, pasi nuk është hera e parë që Ismajli përballet me probleme fizike.
Më 13 janar, mbrojtësi kuqezi u zëvendësua gjithashtu në ndeshjen kundër Romës në Kupën e Italisë, sërish për shkak të shqetësimeve muskulore. Për më tepër, në fillim të dhjetorit të kaluar, Ismajli kishte kaluar një tjetër dëmtim të ngjashëm.
Ky historik dëmtimesh ngre pikëpyetje serioze dhe sjell frikë te stafi i Kombëtares dhe te trajneri Sylvinho, nëse Ardian Ismajli do të jetë në gjendje optimale për të ndihmuar prapavijën kuqezi gjatë fazës “Play-Off” për Kupën e Botës, që për Shqipërinë konsiderohet vendimtare.

