West Ham vs Liverpool

Kriza e Liverpool-it po thellohet javë pas jave dhe Arne Slot mund të luftojë për vendin e punës nëse vizita e së dielës te West Ham United shkon keq.

Ndërsa kampionët në rënie të lirë po shemben psikologjikisht e taktikisht, “Irons” po shijojnë një ringjallje dimërore nën drejtimin e Nuno Espirito Santo, me 7 pikë nga 9 të mundshme në Premier League.

Pas thyerjes së shumë rekordeve pozitive në sezonin e tij të parë, tani Slot dhe lojtarët e tij po mbledhin statistika të turpshme. Humbja 4-1 ndaj PSV-së në Champions League të mërkurën ishte hera e parë pas 72 vitesh që Liverpool humbet tre ndeshje radhazi me diferencë tre gola ose më shumë. Po ashtu, ishte hera e tretë këtë sezon që Liverpool humbet në Anfield me të paktën tre gola diferencë – diçka që nuk ndodhte që nga sezoni 1929-30.

Këto ndjekin prapë dy humbjet e rënda në Premier League, 3-0 kundër Manchester City dhe 3-0 kundër Nottingham Forest, duke e zhytur ekipin në vendin e 12-të. Për shumë tifozë, epoka e Slot ka mbaruar, por drejtuesit – të paktën për momentin – ende i besojnë trajnerit holandez.

Por sa gjatë mund të vazhdojë kjo? Sa humbje të tjera duhet të pësë Liverpool-i dhe sa rekorde negative duhet të thyhen që bordi të ndërhyjë? Të kuqtë hyjnë në javën e 13-të më afër zonës së rënies se sa kreut të tabelës, dhe rrezikojnë të pësojnë tre ndeshje radhazi nga tre gola ose më shumë për herë të parë që prej vitit 1955.

Në transfertë, situata është edhe më dramatike: Liverpool ka humbur katër ndeshjet e fundit jashtë fushe në Premier League, duke pësuar të paktën dy gola çdo herë. Madje, kanë humbur edhe pesë përballjet e fundit në fushat e ekipeve londineze.

Para dy muajsh, çdo tifoz i West Ham-it do ta parashikonte një humbje të pashmangshme ndaj Liverpool-it. Por tani situata ka marrë përmbysje totale. Ndërsa Liverpool fundoset, West Ham – kampionë të Conference League 2022-23 – janë ringjallur dhe janë ngritur nga zona e rënies në vendin e 17-të falë një nëntori fantastik.