Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi i ka komentuar largimet e fundit nga kombëtarja e Kosovës, por nuk ka përmendur emra.
Ademi ka thënë se këto janë çështje normale për të, megjithatë u ka uruar sukses futbollistëve që e lanë kombëtaren kohëve të fundit, ndër ta edhe Amir Rrahmani e Florent Hadërgjonaj.
“Janë çështje normale për mu, secilit i dëshiroj sukses, të cilët e kanë lënë dhe nuk janë më pjesë [e kombëtares së Kosovës]. Kontributi i tyre gjithmonë ka me qenë i pashlyer, dëhsira ime ka qenë dhe është që të gjithë këta gladiatorë tanë dardanë që i quaj futbollistët e Republikës prej kur jemi krijuar si shtet dhe jemi pranuar si federatë në UEFA dhe FIFA – dëshira ime është që këta të jenë dhe të shënohen me shkronja të arta në pjesën e futbollit të Kosovës që këta e kualifikuan Kosovën, sepse kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm secili prej tyre”, tha Ademi për “Kosova Press”.
Së fundmi nga kombëtarja e Kosovës janë larguar kapiteni, Amir Rrahmani, i cili ka thënë se nuk do të kthehet derisa në krye të jenë kryesia aktuale e Federatës.
Edhe Hadërgjonaj ka bërë me dije se nuk do të kthehet te Kosova, përderisa kombëtaren e drejton Franco Foda me stafin e tij.
Fidan Aliti e Valon Berisha megjithatë u pensionuan nga kombëtarja e Kosovës./GazetaExpress/

