Duke synuar të bëhet skuadra e parë që fiton të katër garat kryesore të UEFA-s për klube, Chelsea përballet me fuqinë spanjolle Real Betis në finalen e Conference League të mërkurën mbrëma në Wroclaw.
Skuadra e Enzo Maresca-s kaloi lehtësisht gjysmëfinalen kundër ekipit suedez Djurgardens IF për të siguruar biletën e domosdoshme për finalen, ndërsa Betis i mohoi Fiorentinës një tjetër shans për lavdi.
Një trofe në Conference League është i mirë, një vend në Ligën e Kampionëve është edhe më i mirë, dhe Chelsea mund ta përmbyllë një sezon tranzicioni 2024-25 me të dyja, falë suksesit të tyre në “City Ground” në ditën e fundit të sezonit të Premier League.
Në përballjen kryesore të javës së 38-të ndaj Nottingham Forest – një nga katër skuadrat që luftonin për tre vende të mbetura në Ligën e Kampionëve – Chelsea siguroi vendin në elitën evropiane falë një goli në pjesën e dytë nga Levi Colwill.
Fitorja 1-0 ndaj skuadrës së Nuno Espirito Santo-s ndezi festimet e zakonshme të lojtarëve të Maresca-s, të cilët e dinin se çdo fitore do të mjaftonte për ta çuar në Champions League, pa pasur nevojë të shikonin rezultatet e tjera.
Përfundimi i sezonit në vendin e katërt në Premier League është një arritje e rëndësishme për trajnerin italian, dhe kualifikimi në Ligën e Kampionëve bën që finalja e së mërkurës të mos ketë ndonjë peshë të madhe për sezonin e ardhshëm, ku fituesi zakonisht siguron një vend në Europa League.
Megjithatë, ndonëse e ardhmja evropiane tashmë është siguruar, Chelsea ka mundësinë të shkruajë histori, duke u bërë skuadra e parë që fiton Ligën e Kampionëve, Europa League, Superkupën Evropiane dhe tani Conference League.
Blutë kanë fituar 8 nga 12 finalet evropiane të mëparshme dhe kanë qenë pretendentë të fortë për këtë trofe që në fillim të sezonit, përveç dy gabimeve ndaj Servette dhe Legia Warsaw, por ende nuk janë përballur me një rival të këtij niveli në këtë garë.
Përballë tyre qëndron Real Betis, që do të luajë finalen e parë evropiane në histori, por që udhëhiqet nga një trajner me përvojë të madhe në fitimin e trofeve dhe që kërkon të shkruajë kapitullin e parë të artë për klubin andaluzian.