Topi i Artë, çmimi më prestigjioz individual në futboll, do të ndahet të hënën, me Harry Kane, Lamine Yamal dhe Kylian Mbappe që janë ndër favoritët kryesorë në kategorinë e meshkujve, ndërsa spanjollja Alexia Putellas konsiderohet favoritja për ta fituar çmimin e femrave për herë të tretë.
Çmimi, i cili i jepet futbollistit më të mirë të sezonit 2025-26, këtë vit do të shënojë edicionin e tij të 70-të dhe për herë të parë ceremonia do të mbahet jashtë Francës.
Topi i Artë është çmimi më i lartë individual që mund të marrë një futbollist apo futbolliste, bazuar në paraqitjet gjatë sezonit të kaluar.
Ky çmim u krijua në vitin 1956 nga dy gazetarë sportivë, Gabriel Hanot dhe Jacques Ferran, të revistës franceze France Football.
Fillimisht, çmimi për meshkuj ishte i kufizuar vetëm për futbollistët evropianë, por në vitin 1995 u zgjerua për të përfshirë të gjithë lojtarët, pavarësisht origjinës së tyre, që aktivizoheshin në klubet evropiane. Në vitin 2007, ai u shndërrua përfundimisht në një çmim global, duke u bërë i hapur për të gjithë futbollistët profesionistë.
Topi i Artë për femra filloi të ndahej në vitin 2018, kur Ada Hegerberg u shpall fituesja e parë.
Që nga edicioni i vitit 2024, UEFA dhe Groupe Amaury, pronarët e France Football dhe L’Equipe, e organizojnë së bashku ceremoninë e Topit të Artë.
Kush e vendos fituesin e Topit të Artë?
Fituesi zgjidhet nga një juri ndërkombëtare e përbërë nga gazetarë të specializuar, me nga një përfaqësues për secilin shtet. Për çmimin e meshkujve përfshihen 100 shtetet më të mira sipas renditjes së FIFA-s, ndërsa për çmimin e femrave 50 shtetet e para.
Renditja e FIFA-s që merret për bazë është ajo që ishte në fuqi në momentin e publikimit të listave të kandidatëve, në këtë rast më 8 shtator 2026.
Si funksionon votimi?
Secili anëtar i jurisë zgjedh 10 futbollistë nga lista prej 30 kandidatëve, duke i renditur sipas meritës, nga më i miri te i dhjeti.
Lista e kandidatëve përpilohet nga redaksia e France Football, anëtarë të ekipit redaktues të L’Equipe, të paktën një anëtar i jurisë së edicionit të kaluar dhe ambasadorët e UEFA-s, Luis Figo dhe Fabio Capello për çmimin e meshkujve, si dhe Nadine Kessler për çmimin e femrave.
Dhjetë futbollistët e përzgjedhur marrin përkatësisht 15, 12, 10, 8, 7, 5, 4, 3, 2 dhe 1 pikë, në varësi të pozitës në të cilën janë renditur nga votuesi.
Në fund, Topi i Artë i jepet futbollistit që grumbullon numrin më të madh të pikëve në total.
Cilat janë kriteret e votimit?
Futbollistët vlerësohen për paraqitjet e tyre gjatë gjithë sezonit të kaluar. Për çmimin e këtij viti, periudha që merret parasysh është nga 3 gushti 2025 deri më 19 korrik 2026.
Anëtarëve të jurisë u kërkohet të marrin parasysh tre faktorë gjatë renditjes së lojtarëve. Sipas rregullores së Topit të Artë, kriteret janë të renditura sipas rëndësisë:
- Paraqitjet individuale, ndikimi vendimtar dhe cilësitë mbresëlënëse.
- Paraqitjet kolektive dhe trofetë e fituar.
- Klasi dhe loja e ndershme (fair play).

