Leon Avdullahu mund ta bëjë hapin e madh në karrierë, pasi Atletico Madridi e ka rikthyer interesimin për mesfushorin e Kombëtares së Kosovës.
Sipas mediumit gjerman “Fussballtransfers”, klubi madrilen e ka vendosur 22-vjeçarin në listën e objektivave për sezonin e ardhshëm, përcjell “Gazeta Express”.
Diego Simeone kërkon një mesfushor defanziv që kombinon sigurinë në mbrojtje me inteligjencën në organizimin e lojës, ndërsa Avdullahu shihet si profili i përshtatshëm.
Atletico kishte tentuar ta transferonte kosovarin edhe gjatë verës së kaluar, por Hoffenheimi refuzoi ta largonte, pasi e konsideronte lojtar kyç për projektin e skuadrës.
Avdullahu iu bashkua klubit gjerman në vitin 2025 nga Baseli për rreth 8 milionë euro dhe është shndërruar në një prej lojtarëve të rëndësishëm të ekipit.
Ai ka kontratë me Hoffenheimin deri në vitin 2031 dhe deri tani ka regjistruar 48 paraqitje zyrtare, me një gol dhe një asistim.
Përveç tij, Atletico po shqyrton edhe emrat e Stefan Dzodicit të Almerias dhe Mikel Merinos së Arsenalit. /Gazeta Express

