Kur Muriqi i kujtonte hjekat e luftës: Ishim në një dhomë 50-55 persona, fjetëm mbi shishe në bodrum

Ylli i Kosovës, Vedat Muriqi, i cili aktualisht po shkëlqen në La Liga, ka rrëfyer për vështirësitë e mëdha që ka përjetuar gjatë periudhës së luftës në vendin e tij.

Në një intervistë të vitit 2016 për Anadolu Ajansı, Muriqi kujton:

“Kam disa kujtime nga fëmijëria. Duhej të largoheshim nga shtëpia jonë dhe të migronim diku tjetër deri sa përfundoi lufta. Shkuam të gjithë familja. Në një vend qëndronim 50-55 veta”.

“Pas migrimit filluam të jetonim vetëm në një dhomë me 50-55 persona. Para asaj, për dy ditë qëndruam duke fjetur mbi shishe në bodrum.”

Pavarësisht sfidave të mëdha të kaluar, sulmuesi kosovar ka arritur të shkëlqejë në futboll. Me 8 gola të shënuar këtë sezon, ai është aktualisht golashënuesi i dytë më i mirë në La Liga, vetëm pas Kylian Mbappé që ka 13 gola, shkruan Gazeta Express.

Gjithashtu, Muriqi po luan një rol kyç për Kosovën, e cila aktualisht është në play-off për kualifikimin në Kupën e Botës, duke synuar debutimin historik në turneun më të madh të futbollit botëror.

Vedat Muriqi është një shembull i qartë se me përkushtim dhe talent, sfidat e së kaluarës mund të shndërrohen në sukses të madh. /GazetaExpress/