Anglia do t’i përmbyllë përgatitjet për Kupën e Botës 2026 të mërkurën në mbrëmje, kur “Tre Luanët” do të përballen me Kosta Rikën në Orlando.
Skuadra e Thomas Tuchel arriti një fitore të vështirë 1-0 ndaj Zelandës së Re në ndeshjen e parafundit miqësore, ndërsa kundërshtarët e tyre pësuan humbje 3-1 ndaj Kolumbisë.
Ndeshja mes Anglisë dhe Zelandës së Re nuk ishte nga ato që do të mbahen mend gjatë. Terreni jo ideal, temperaturat e larta dhe ndryshimet e shumta në pjesën e dytë ndikuan në cilësinë e lojës.
Megjithatë, Harry Kane ishte edhe një herë njeriu vendimtar për anglezët, duke realizuar golin e vetëm të takimit pak para pushimit. Ishte goli i tij i 79-të me fanellën e kombëtares, që i dha fund serisë prej dy ndeshjesh pa fitore të Anglisë.
Tuchel nuk ishte plotësisht i kënaqur me paraqitjen e ekipit të tij dhe kjo përballje ndaj Kosta Rikës do të jetë mundësia e fundit për të gjetur formulën ideale para nisjes së Botërorit.
Anglia do të ketë një javë kohë për t’u përgatitur pas kësaj ndeshjeje përpara sfidës hapëse të Kupës së Botës kundër Kroacisë, por shqetësimet në repartin ofensiv vazhdojnë, pasi anglezët ende nuk kanë shënuar më shumë se një gol në asnjë ndeshje gjatë vitit 2026.
Megjithatë, mbrojtja vazhdon të jetë pika më e fortë e ekipit. Fitorja ndaj Zelandës së Re ishte e 12-ta radhazi që Anglia e mbyll pa pësuar gol, ndërsa hera e fundit që pranoi gol në një fitore ishte triumfi 3-1 ndaj Finlandës në Ligën e Kombeve në tetor të vitit 2024.
Në anën tjetër, Kosta Rika nuk do të jetë pjesë e Kupës së Botës 2026. Kombëtarja e Amerikës Qendrore synonte pjesëmarrjen e katërt radhazi në turne, pas çerekfinales historike në vitin 2014 dhe eliminimeve në fazën e grupeve në vitet 2018 dhe 2022.
“Los Ticos” kaluan me sukses fazën e dytë të kualifikimeve të CONCACAF-it me maksimumin e pikëve, por katër barazime në fazën e tretë rezultuan fatale për ëndrrën e tyre.
Pasi përfunduan pas Haitit dhe Hondurasit në grup, federata vendosi të shkarkojë trajnerin Miguel Herrera, ndërsa në vend të tij u emërua ish-trajneri i Venezuelës, Fernando Batista.
Argjentinasi ende nuk ka arritur të regjistrojë fitore në krye të skuadrës. Ai debutoi me një barazim 2-2 ndaj Jordanisë, përpara humbjes së thellë 5-0 nga Irani dhe disfatës 3-1 ndaj Kolumbisë.
Kjo do të jetë përballja e tretë mes Anglisë dhe Kosta Rikës. Dy kombëtaret barazuan pa gola në Kupën e Botës 2014, ndërsa Anglia fitoi 2-0 në një miqësore të zhvilluar katër vite më vonë.
Në letër, Anglia konsiderohet favorite e madhe për të marrë fitoren dhe për të hyrë me moral të lartë në Kupën e Botës 2026.

