Futbollisti shqiptar Ardon Jashari ka folur për sezonin e tij të parë në futbollin italian, duke e pranuar se pritshmëritë e larta nuk u përmbushën plotësisht, por duke u shprehur i bindur se potenciali i tij i vërtetë do të shihet kur të ketë vazhdimësi në fushë.
Në një intervistë për mediat zvicerane, mesfushori 23-vjeçar i kujtoi vështirësitë që i hasi menjëherë pas transferimit te Milani.
Një lëndim në fibulë e mbajti jashtë fushave për një periudhë të gjatë, duke ia penguar përshtatjen dhe ritmin e nevojshëm të garës.
“Nuk ishte e lehtë. Erdha në verë dhe pak më vonë e pësova dëmtimin që më mbajti jashtë për një kohë të gjatë. Kur rikthehesh pas një ndalese të tillë, të duhet kohë për ta rifituar formën dhe ritmin e ndeshjeve. Jam i bindur se versioni im i vërtetë do të shihet kur të luaj me më shumë rregullsi”, deklaroi Jashari.
Mesfushori me pasaportë zvicerane foli edhe për ndikimin e trajnerit Massimiliano Allegri, duke e vlerësuar mbështetjen që e mori nga trajneri italian në momentet më të vështira të sezonit.
Sipas tij, besimi i trajnerit ka qenë vendimtar për të mos e humbur motivimin gjatë periudhës së rikuperimit dhe adaptimit.
Jashari theksoi gjithashtu se Serie A është një kampionat shumë më taktik krahasuar me eksperiencat e tij të mëparshme, me mbrojtje të organizuara dhe hapësira të kufizuara, faktorë që e kanë detyruar të përmirësohet në aspektin teknik dhe mental.
Pavarësisht vështirësive, ai beson se fundi i sezonit solli sinjale pozitive dhe se në edicionin e ardhshëm do të jetë në gjendje t’i tregojë vlerat për të cilat Milani investoi te ai.
Jashari aktualisht është i angazhuar me Kombëtaren e Zvicrës në Kupën e Botës. /Gazeta Express

