Bayern Munich i vendos çmim rekord Olises, synon ta bëjë transferimin më të shtrenjtë në histori

Bayern Munich ka vendosur një çmim marramendës për Michael Olise në rast se ndonjë klub do të tentonte ta transferonte.

Sipas raportimeve nga Spanja, gjiganti bavarez nuk e konsideron francezin të shitshëm, por në një skenar të jashtëzakonshëm do të pranonte të negocionte vetëm për një ofertë prej 222 milionë eurosh.

Një shumë e tillë do ta barazonte transferimin e Neymarit nga Barcelona te Paris Saint-Germaini në vitin 2017, që vazhdon të mbetet më i shtrenjti në historinë e futbollit.

Olise është shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të Bayernit që prej transferimit në “Allianz Arena”.

Me paraqitjet e tij mbresëlënëse, aftësinë në duelet një kundër një, kreativitetin dhe kontributin në sulm, ai shihet si një nga figurat kryesore të projektit afatgjatë të klubit.

Drejtuesit bavarezë besojnë se lojtarë me profilin e francezit janë të rrallë në tregun aktual dhe nuk kanë asnjë interes për ta shitur.

Për këtë arsye, klubi dëshiron të dërgojë një mesazh të qartë se nuk ndodhet nën presion financiar dhe nuk ka nevojë të heqë dorë nga yjet e tij.

Emri i Olise është lidhur shpesh me Real Madridin, një destinacion që do të dukej logjik duke pasur parasysh politikën e klubit spanjoll për të investuar te talentët e rinj me potencial të jashtëzakonshëm.

“Ka potencial për të fituar Topin e Artë” – Viera me fjalë të mëdha për Olise

Megjithatë, madrilenët kanë mohuar publikisht çdo interes konkret për lojtarin, duke i ftohur spekulimet që qarkulluan javët e fundit.

Pavarësisht kësaj, Bayerni ka bërë të qartë se nuk do të dëgjojë oferta normale për 24-vjeçarin.

Sipas qëndrimit të klubit, vetëm një shifër historike do t’i detyronte bavarezët të uleshin në tavolinën e negociatave.

Aktualisht, Olise konsiderohet i paprekshëm në Bayern Munich.

Ndikimi i tij në skuadër, mosha e re dhe potenciali i madh e kanë shndërruar në një nga asetet më të vlefshme të futbollit evropian.

Mesazhi i Bayernit është i prerë: kushdo që dëshiron ta largojë Michael Olise nga “Allianz Arena”, duhet ta bëjë atë transferimin më të shtrenjtë në historinë e futbollit.