Granit Xhaka e ka përshkruar interesimin e Chelseat gjatë afatit kalimtar të verës si një “privilegj të madh”, por ka insistuar se nuk kishte ndërmend të largohej nga Sunderlandi.
Pas largimit nga Arsenali në vitin 2023, Xhaka u bë një lojtar kyç në skuadrën e Xabi Alonsos te Bayer Leverkuseni, e cila qëndroi e pamposhtur në 51 ndeshje dhe fitoi dy trofetë, titullin e Bundesligës dhe Kupën e Gjermanisë, një vit më pas.
Alonso kishte dëshirë të ribashkohej me Xhakën në “Stamford Bridge”, por oferta prej 8 milionë funte e Chelseat u refuzua nga Sunderlandi në qershor.
Ndërkohë, Xhaka është i bindur se nuk iu bashkua Sunderlandit me synimin për të qëndruar vetëm 12 muaj.
I pyetur për interesimin e Chelseat, Xhaka tha në podcastin “The Sports Agents”: “Sezonin e kaluar, kur nënshkrova kontratën këtu, pas skenave kishte një plan dhe plani ishte t’i përmbaheshim këtij projekti, të besonim në këtë projekt dhe të punonim për këtë projekt. Dhe gjithmonë i them vetes dhe njerëzve përreth meje se nuk erdha këtu për vetëm një sezon”.
“Sigurisht, është një privilegj i madh për mua që Xabi Alonso, me të cilin kam punuar, më donte përsëri. Është një privilegj i madh që një klub futbolli si Chelsea e dëshiron një lojtar, gati 34-vjeçar. Por unë ende kam kontakte me të gjithë trajnerët e mi. Kjo nuk do të thotë se kur ke kontakte me trajnerin, ka diçka pas kësaj. Kishte diçka pas saj, po, sigurisht, por angazhimi im ndaj klubit ishte i qartë. Kur fola me pronarin e Sunderlandit, i thashë që në fillim se nuk kam ndjesinë që ky projekt ka përfunduar ende dhe kjo është motivimi im, prandaj më sollën këtu dhe prandaj jam ende këtu, për të bërë hapin e radhës. Dua ta shijoj futbollin evropian me këtë klub futbolli, me tifozët dhe shpresojmë se mund të arrijmë edhe më shumë pas këtij sezoni”, tha ai tutje.
Xhaka iu bashkua Sunderlandit në verën e vitit 2025 për shumën e 15 milionë eurove nga Bayer Leverkuseni.
Ai ka kontratë deri në vitin 2028 me klubin anglez./GazetaExpress/

