Kristjan Asllani vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes teksa merkatoja e janarit po shkon drejt fundit, ndërsa e ardhmja e mesfushorit shqiptar mbetet ende e hapur. Qëndrimi te Torino dhe rikthimi te Interi duken opsione të pamundura, duke e bërë gjithnjë e më të sigurt largimin e liderit kuqezi nga Italia.
Pavarësisht interesimit nga klube si Parma, Sassuolo apo Genoa në Serie A, këto alternativa nuk e kanë bindur Asllanin. Për këtë arsye, destinacioni i tij i radhës duket se do të jetë jashtë Italisë, me Turqinë që po fiton terren serioz në garë.
Mesfushori i Kombëtares është pranë një transferimi te Besiktas, ndërsa Stambolli mund të jetë ndalesa e radhës në karrierën e tij. Klubi turk synon të përforcojë mesfushën për pjesën e mbetur të sezonit dhe te Asllani sheh profilin ideal për të shtuar cilësi dhe ekuilibër në lojë.
Te Besiktas aktualisht aktivizohet edhe Milot Rashica, ndërsa në të kaluarën pjesë e klubit turk ka qenë edhe Ernest Muçi. Në ditët në vijim pritet të qartësohet gjithçka dhe të mësohet se cili do të jetë hapi i radhës për Kristjan Asllanin.

