Në pritje të zyrtarizimit, Lazio e Gennaro Gattusos ka filluar të marrë formë.
Mes reparteve që duhet të përforcohen me siguri është edhe sulmi dhe klubi po e monitoron “merkaton” për ta gjetur emrin e duhur.
Sipas “La Repubblica”, sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Armando Broja, është një nga të vëzhguarit specialë.
Burnley ka rënë në Championship dhe sipas gazetës italiane Broja do të ndryshojë skuadër me shumë mundësi.
Klubi anglez i kërkon 12 milionë euro, por bisedimet për kalimin e mundshëm të sulmuesit shqiptar te Lazio mund të mbyllen edhe me formulën e huazimit.
Broja pëlqehet nga trajneri i ri i bardhekaltërve, përcjell rtsh. Lazio ndjek gjithashtu edhe Sebastiano Esposito të Cagliarit.
Emri i Brojës është lakuar edhe sezonet e mëparshme për një transferim në Serinë A, ku të interesuar kanë qenë klube akoma më të mëdha, si Milani dhe Napoli.

