Federata Braziliane e Futbollit (CBF) e ka paraqitur një ankesë zyrtare në FIFA pas anulimit të golit të Vinicius Junior në fitoren 3-0 ndaj Skocisë, në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve të Kupës së Botës.
Ylli i Real Madridit mendoi se e kishte dyfishuar epërsinë e Brazilit, por pas ndërhyrjes së VAR-it, referi meksikan Cesar Ramos u thirr për ta rishikuar aksionin dhe vendosi ta anulonte golin, duke gjykuar se Vinicius kishte bërë faull ndaj mbrojtësit skocez Jack Hendry gjatë marrjes së topit.
Vendimi shkaktoi zemërim te brazilianët, të cilët, pavarësisht fitores bindëse, vendosën të ankohen në FIFA për mënyrën e përdorimit të VAR-it.
Sipas raportimeve të TyC Sports, e CBF ka përdorur si shembull edhe golin e Lionel Messit ndaj Austrisë, përcjell “Gazeta Express”.
Brazili argumenton se në atë rast, Alexis Mac Allister e pati një duel të ngjashëm me Xaver Schlager në ndërtimin e aksionit, por gjyqtari nuk sinjalizoi faull dhe goli i Argjentinës u pranua.
Federata braziliane pretendon se teknologjia VAR nuk është përdorur me të njëjtat standarde gjatë turneut dhe se vendimi për anulimin e golit të Viniciusit bie ndesh me filozofinë e gjykimit të ndjekur deri tani.
Në deklaratën zyrtare thuhet: “Goli i anuluar i Brazilit ndaj Skocisë nuk duket të jetë në përputhje me filozofinë e adoptuar gjatë këtij kompeticioni. Vendimi ishte i papritur jo vetëm për Brazilin, por edhe për futbollistët skocezë, reagimet e menjëhershme të të cilëve tregonin se nuk prisnin as rishikim nga VAR-i dhe as anulimin e golit.”
Incidenti ndodhi në minutën e 24-t kur Vinicius ia rrëmbeu topin Hendryt pranë zonës, avancoi drejt portës dhe realizoi.
Megjithatë, festa e brazilianëve u ndërpre pas kontrollit të VAR-it.
Pavarësisht polemikave, Brazili fitoi 3-0 dhe e siguroi kualifikimin në fazën me eliminim direkt, ku të hënën do të përballet me Japoninë në 1/16 e finales. /Gazeta Express

