FIFA ka marrë disa vendime të rëndësishme në prag të Kampionatit Botëror të këtij viti. Në kongresin e zhvilluar në Vankuver është dhënë drita jeshile për përjashtimin me karton të kuq të futbollistëve që vendosin fanellën apo dorën përpara fytyrës dhe ofendojnë kundërshtarin.
Institucioni më i lartë i futbollit botëror ka miratuar gjithashtu një tjetër rregull të ashpër për të mbrojtur imazhin e futbollit, por mbi të gjitha për të respektuar figurën e arbitrit.
“Nëse lojtarët e një ekipi vendosin që të largohen nga fusha e lojës në shenjë proteste për vendimet e arbitrave, atëherë ata do të ndëshkohen me karton të kuq dhe skuadra që e bën këtë veprim do ta humbasë ndeshjen në tavolinë”, njoftoi Pierluigi Collina, dizenjatori i arbitrave në FIFA.
Në mbledhjen e zhvilluar në Kanada u vendos edhe një rregull për t’u ardhur në ndihmë skuadrave pjesëmarrëse në Botëror. Kartonët e verdhë që janë akumuluar nga futbollistët do të zerohen pas fazës së grupeve, por gjithashtu edhe pas çerekfinaleve. Një vendim që iu vjen në ndihmë trajnerëve për shkak të kalendarit të ngjeshur në këtë event.

