Goditi kundërshtarin në ndeshjen kundër Philadelphia, ky është dënimi i MLS për Messin

Lionel Messi është gjobitur nga Major League Soccer për një incident të ndodhur në fund të ndeshjes mes Inter Miamit dhe Philadelphia Union, e cila përfundoi me rezultat 2-2.

Komiteti disiplinor i MLS-së i ka shqiptuar argjentinasit një gjobë, shuma e së cilës nuk është bërë publike, për shkelje të rregullores që ndalon kontaktet me duar në fytyrën, kokën apo qafën e kundërshtarit.

Incidenti ndodhi në minutat shtesë, kur Messi iu afrua Quinn Sullivanit, ndërsa topi ishte në një pjesë tjetër të fushës. Pas një shkëmbimi fjalësh, ylli i Inter Miamit e goditi Sullivanin në pjesën e pasme të qafës. Sulmuesi i Philadelphia-s iu përgjigj duke u përballur me Messin në një moment tensioni.

Arbitri Filip Dujic nuk e pa drejtpërdrejt incidentin dhe asnjëri prej dy lojtarëve nuk u ndëshkua me karton.

Për të njëjtën shkelje është gjobitur edhe mbrojtësi i Inter Miamit, Ian Fray.

Ndërkohë, në një përplasje tjetër në kohën shtesë, arbitri përjashtoi me karton të kuq Cavan Sullivanin, vëllain më të vogël të Quinn, si dhe mesfushorin e Inter Miamit, Yannick Bright.