Inter Miami rrezikon të dënohet pasi nënshkroi me Casemiron, kjo është arsyeja…

Inter Miami e konfirmoi këtë javë transferimin e Casemiros si lojtar i lirë, por klubi mund të përballet shumë shpejt me pasoja për këtë marrëveshje.

Casemiro mbeti pa klub pasi kontrata e tij me Manchester United skadoi më 30 qershor, duke i dhënë fund aventurës katërvjeçare në “Old Trafford”.

34-vjeçari ishte një nga lojtarët më me ndikim gjatë kësaj periudhe, duke zhvilluar 160 ndeshje dhe duke kontribuar në 40 gola, prej të cilëve 11 erdhën në Premierligë sezonin e kaluar.

Megjithatë, ndërsa ai nis një kapitull të ri në MLS me një kontratë deri në fund të sezonit 2027, transferimi i tij është vënë nën hetim.

Menjëherë pasi Inter Miami e zyrtarizoi transferimin të mërkurën, MLS publikoi një deklaratë ku njoftoi se po shqyrtonte një akuzë për shkelje të rregullave (“tampering”) nga ana e klubit.

“Liga po mbledh të gjitha informacionet përkatëse dhe nuk do të bëjë komente të mëtejshme derisa shqyrtimi të përfundojë”, thuhej në deklaratë.

“Ndërsa Inter Miami CF dhe LA Galaxy kanë arritur një marrëveshje për të drejtat e prioritetit të zbulimit (discovery priority) për nënshkrimin e Casemiros, detajet e saj do të publikohen vetëm pas përfundimit të hetimit.”

Sipas rregullave të MLS-së, klubet duhet të negociojnë të drejtat e “discovery” me çdo skuadër që e ka futur më herët një lojtar në listën e saj, përpara se ta transferojnë atë jashtë draftit ose tregut të lojtarëve të lirë.

LA Galaxy duhej të kishte përparësi, pasi e kishte regjistruar më herët Casemiron në listën e saj “discovery”, dhe pikërisht kjo është arsyeja pse është hapur hetimi.

Liga nuk ka bërë të ditur se cilat mund të jenë ndëshkimet apo kur pritet të përfundojë hetimi, por LA Galaxy konfirmoi se kishte siguruar të drejtat e “discovery” për Casemiron si pjesë e marrëveshjes.

Edhe pse ky proces është kritikuar shpesh, ai është mjaft i zakonshëm në MLS.

Për shembull, kur Marco Reus iu bashkua LA Galaxy nga Borussia Dortmundi në vitin 2024, klubi u detyrua t’i paguante 400 mijë dollarë Charlotte FC-së, e cila e kishte futur më parë gjermanin në listën e saj “discovery”.

Sipas përshkrimit të publikuar në faqen zyrtare të MLS-së, klubet mund të skautojnë dhe transferojnë lojtarë që nuk janë nën kontratë me MLS dhe që nuk i nënshtrohen ndonjë mekanizmi tjetër të shpërndarjes së lojtarëve.

Për ta transferuar një lojtar përmes këtij procesi, klubi duhet fillimisht ta vendosë atë në listën “discovery”. Çdo klub mund të ketë deri në pesë lojtarë në këtë listë dhe mund ta ndryshojë atë në çdo kohë.

Nëse dy ose më shumë klube tentojnë të regjistrojnë të njëjtin lojtar, përparësi ka ai klub që e ka paraqitur kërkesën më herët.

Në rast se një klub dëshiron të transferojë një lojtar që ndodhet në listën “discovery” të një klubi tjetër, ai mund t’i ofrojë këtij të fundit 50 mijë dollarë në General Allocation Money në këmbim të së drejtës për ta nënshkruar lojtarin.

Klubi që mban të drejtat ka më pas pesë ditë kohë (ose tre ditë gjatë afatit dytësor të transferimeve) për ta pranuar ofertën ose për t’i bërë lojtarit një ofertë serioze dhe objektivisht të arsyeshme.

Pavarësisht hijes së hetimit mbi transferimin e tij, Inter Miami është i entuziazmuar për afrimin e 90-herë reprezentuesit të Brazilit.

Edhe pse mbushi 34 vjeç në shkurt, Casemiro pati një rilindje te Manchester United sezonin e kaluar, duke dhënë ndoshta paraqitjet e tij më të mira me fanellën e klubit nën drejtimin e Michael Carrick.

Ai realizoi nëntë gola dhe dha dy asistime në Premierligë, duke dëshmuar edhe një herë rëndësinë e tij për skuadrën.

Megjithatë, mosha dhe paga e lartë bënë që Manchester United të mos aktivizonte klauzolën për zgjatjen e kontratës edhe për një vit, ndërsa braziliani e njoftoi largimin e tij emocional në fillim të këtij viti.

I konsideruar si një nga mesfushorët defensivë më të mirë të epokës moderne dhe fitues pesë herë i Ligës së Kampionëve, Casemiro tani po përgatitet të luajë përkrah Lionel Messit dhe ka premtuar se do të japë gjithçka për klubin e tij të ri.

“Jam jashtëzakonisht mirënjohës dhe mezi pres të filloj, që ta shpërblej këtë besim jo vetëm gjatë 90 minutave të ndeshjes, por edhe çdo ditë në stërvitje. Mund të them vetëm faleminderit dhe se do të jap gjithçka që kam për t’ia kthyer dashurinë dhe besimin që më ka treguar klubi”, tha Casemiro për faqen zyrtare të Inter Miamit.

Fitues i FA Cup dhe Carabao Cup gjatë kohës te Manchester United, mesfushori brazilian synon të shtojë edhe trofe të tjerë në SHBA, me Inter Miamin që aktualisht renditet në vendin e dytë në Konferencën Lindore./GazetaExpress/