Jashari pritet të largohet nga Milani por jo nga Italia

Sipas “La Gazzetta dello Sport”, Juventusi është i interesuar për mesfushorin e Milanit, Ardon Jashari, i cili ka pasur një sezon debutues të vështirë në “San Siro”.

Juventusi po kërkon një mesfushor qendror të ri për verën e ardhshme dhe, sipas raportimeve, Jashari është një nga emrat në listën e “bardhezinjve”.

Klubi po monitoron situatën e tij dhe synon të afrojë një organizator loje për sezonin 2026/27.

Jashari iu bashkua Milanit nga Club Brugge verën e kaluar për rreth 34 milionë euro plus bonuse, por pësoi një dëmtim serioz në fibul vetëm pak ditë pas fillimit të stërvitjeve, gjë që ndikoi në të gjithë sezonin e tij.

Mesfushori i Zvicrës, me prejardhje shqiptare, ka luajtur vetëm 657 minuta në të gjitha garat këtë sezon, duke u aktivizuar në 13 ndeshje dhe duke qëndruar 15 herë në stol.

Juventusi kishte shfaqur interesim për Jasharin edhe vitin e kaluar dhe mund të konsiderojë një marrëveshje me Milanin këtë verë, nëse kushtet financiare janë të favorshme.

Ndërkohë, në listën e objektivave të klubit janë edhe Bernardo Silva i Manchester Cityt dhe Pierre-Emile Hojbjergu i Marseillet.

Juventusi madje ka nisur tashmë bisedimet me rrethin e Bernardos, pasi kontrata e tij me Manchester Cityn skadon në qershor 2026 dhe nuk pritet të rinovohet.