Mbrojtësi argjentinas përballet me burg dhe përjashtim

Një episod i pazakontë ka tronditur futbollin argjentinas, ku mbrojtësi i Gimnasia de Jujuy, Emiliano Indrezzi, është arrestuar dhe po përballet me pasoja të rënda ligjore dhe disiplinore pas një “shakaje” që shkaktoi alarm të madh sigurie në aeroport.

Ngjarja ndodhi në Aeroportin e Jujuy-t në Argjentinë, kur lojtari, para nisjes së një fluturimi drejt Buenos Aires, bërtiti “bombë” në bord të avionit. Ky veprim aktivizoi menjëherë protokollet anti-terroriste, duke shkaktuar panik dhe ndërhyrje urgjente të autoriteteve.

Sipas mediave lokale, pas sinjalizimit, avioni u evakuua menjëherë dhe një ekip special për çaktivizimin e bombave kontrolloi me detaje mjetin fluturues. Pas verifikimeve u konstatua se alarmi ishte i rremë dhe nuk kishte asnjë rrezik real.

Menjëherë pas kësaj, policia arrestoi futbollistin në pistë, duke e prangosur dhe shoqëruar për marrje në pyetje nën akuzat për alarm të rremë dhe pengim të trafikut ajror, vepra që mund të sjellin dënime të rënda.