Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Mario Mitaj, po bëhet gati të kthehet përsëri gjatë kësaj vere në futbollin e rëndësishëm europian, duke i dhënë lamtumirën Arabisë Saudite. Kjo bëhet e ditur nga vetë mediat saudite, të cilat tregojnë se klubi i Al Itihad dhe lojtari kanë marrë një ofertë të rëndësishme nga një klub italian.
Burimet bëjnë të ditur se në zyrat e klubit ka ardhur një ofertë konkrete nga Italia, me “dyfishin e vlerës se kartonit” që do të derdhej ne arkat e Al Itihad. Duke pasur parasysh se në këtë klub ka nisur riformatimi i plotë, parashikohet që gjithçka të mbyllet pozitivisht dhe Mitaj të transferohet në Serinë A gjatë kësaj vere.
Tani mbetet të mësohet se cili është klubi që do të bëjë këtë investim për mbrojtësin e Kombëtares shqiptare, i cili ka spikatur në këto vite me fanellën kuqezi duke qenë një titullar fiks në krahun e majtë të prapavijës.
Futbollisti 22-vjeçar ka luajtur me parë me AEK të Athinës dhe Lokomotiv Moskë, para se të transferohej në kampionatin saudit në radhët e Al Itihad.
E.KUKA-PANORAMASPORT.AL

