Presidenti i Barcelonës tregon pse dështoi transferimi i Matinez, “E doja me çdo kusht, por…”

Lautaro Martinez ishte objektivi i parë i Barcelonës në afatin kalimtar të verës.

Këtë e ka konfirmuar presidenti i klubit katalanas, Joan Laporta, i cili ka zbuluar detaje nga tentativa për transferimin e sulmuesit të Interit.

“Gjithçka është e vërtetë, e doja Lautaron me çdo kusht”, ka deklaruar Laporta në një bisedë me “Corriere dello Sport”, në margjinat e asamblesë së EFC-së në Bella Center të Kopenhagës, përcjell “Gazeta Express”.

“Ai është një futbollist i jashtëzakonshëm dhe nuk donim të na ikte. Kështu që e telefonova presidentin Marotta dhe ai më tha se lojtari nuk ishte në shitje”, ka shtuar presidenti i Barcelonës, duke treguar edhe detaje tjera.

“Po ju tregoj se si ndodhi. Një ditë e telefonova Beppe Marottan. Ishim vetëm ne të dy, pa ndërmjetës. I thashë se do të më pëlqente ta kisha Lautaron në skuadrën time dhe se e vlerësoja shumë lojtarin”, ka treguar Laporta.

Më pas, presidenti i Barcelonës ka zbuluar se si vijoi biseda: “Por Marotta nuk më la as ta përfundoja fjalinë. Më tha qartë se lojtari nuk ishte në shitje dhe se nuk do të ishte ai që do të vendoste nëse Lautaro do të transferohej apo jo”.

“Prandaj i ndala të gjitha diskutimet. Nuk kishte asnjë mënyrë për të vazhduar më tej. Mes meje dhe Marottas ekziston një marrëdhënie besimi të ndërsjellë dhe, për respekt ndaj tij dhe Interit, nuk shkuam më tej”, ka sqaruar Laporta.

Presidenti i Barcelonës ka folur edhe për mundësinë që dy skuadrat të përballen në Ligën e Kampionëve.

“Mund të ndodhë dhe do të ishte argëtuese. Është një kompeticion të cilit i kushtojmë shumë rëndësi”, ka përfunduar ai. /Gazeta Express