Presidenti i Paris Saint-Germain, Nasser Al-Khelaifi, i ka zbuluar tre futbollistët e skuadrës së Luis Enriques që, sipas tij, e meritojnë ta fitojnë Topin e Artë.
Në ditët e fundit, Lamine Yamal është përmendur gjithnjë e më shumë në garën për çmimin prestigjioz individual, pas një fillimi të mirë të sezonit me Barcelonën dhe Spanjën.
Ceremonia e Topit të Artë do të zhvillohet më 26 tetor në Londër.
I pyetur nga gazetarët për favoritët e tij, Al-Khelaifi fillimisht u përpoq t’i shmangej përgjigjes, përcjell “Gazeta Express”.
“Do të më fusni në telashe me klubet e tjera. Kam shumë respekt për të gjithë lojtarët, si Kylian apo Yamal. Janë futbollistë të jashtëzakonshëm. Kylianin e njoh shumë mirë, sigurisht. Është një lojtar i jashtëzakonshëm, me shumë talent dhe padyshim një nga më të mirët në botë.”
Por më pas, presidenti i PSG-së i zbuloi tre emrat që do t’i zgjidhte nga skuadra e tij.
“Do ta zgjidhja patjetër njërin nga lojtarët e mi. Kemi tre: Dembélé, Kvara dhe gjithashtu Fabián Ruiz. Fabián Ruiz është i vetmi që i ka fituar të gjithë trofetë. Prandaj mendoj se Dembélé, Kvara dhe Fabián Ruiz e meritojnë, sepse i kanë fituar të gjitha. Mendoj se kanë luajtur shumë mirë, kanë qenë fantastikë”, deklaroi Al-Khelaifi.
Në fund, ai e bëri edhe një batutë me gazetarët: “Por unë jam këtu si president i EFC-së dhe jo i Paris Saint-Germainit. Më mashtruat me këtë pyetje!” /Gazeta Express

