Real Madrid do të synojë të kthehet te fitorja në La Liga kur të presë Villarreal-in në Santiago Bernabeu të shtunën mbrëma, në një përballje që pritet të jetë mjaft intriguese.
Los Blancos ndodhen aktualisht në vendin e dytë të tabelës me 18 pikë nga shtatë ndeshjet e para të sezonit, ndërsa mysafirët janë në vendin e tretë me 16 pikë nga po aq duele.
Skuadra e Xabi Alonso e nisi kampionatin me gjashtë fitore radhazi ndaj Osasuna, Real Oviedo, Mallorca, Real Sociedad, Espanyol dhe Levante, por u trondit fundjavën e kaluar nga Atletico Madrid, duke pësuar humbje 5-2 në derbin e kryeqytetit.
Pas këtij rezultati, Real Madrid humbi kreun e renditjes që tani i përket Barcelonës, megjithatë janë vetëm një pikë larg katalanasve dhe kanë ruajtur një fillim të fortë sezonal.
Në Evropë, Los Blancos kanë regjistruar gjithashtu dy fitore në fazën e grupeve të Champions League, duke mposhtur Marseille dhe Kairat, gjë që i rendit aktualisht të dytët në grup me gjashtë pikë.
Pas ndeshjes me Villarreal, Real Madrid do të rikthehet në veprim në La Liga kundër Getafe-s pas pushimit të tetorit për kombëtaret, ndërsa më 22 tetor i pret një sfidë e madhe kundër Juventus-it në Champions League.
Los Blancos fituan të dyja takimet e kampionatit kundër Villarreal sezonin e kaluar, përfshirë një triumf 2-0 në Bernabeu, edhe pse në edicionin 2022-23 u mundën 3-2 në shtëpi nga “Nëndetësja e Verdhe”.
Nga ana tjetër, Villarreal u përball këtë javë në Champions League me Juventus-in, duke barazuar 2-2 në shtëpi dhe tani kanë vetëm një pikë nga dy ndeshjet e para të kompeticionit.
Në La Liga, skuadra e Marcelino ka regjistruar pesë fitore, një barazim dhe një humbje, duke grumbulluar 16 pikë që i mbajnë në vendin e tretë – vetëm dy më pak se Real Madrid dhe tre nga Barcelona kryesuese.

