Suarez: Mos e krahasoni Yamalin me Messin, janë të padurueshme

Luis Suarez ka kërkuar që të ndalen krahasimet mes Lamine Yamalit dhe Lionel Messit, duke theksuar se dy futbollistët kanë cilësi të ngjashme, por janë lojtarë krejtësisht të ndryshëm.

Sulmuesi i Inter Miamit pranoi talentin e madh të yllit të ri të Spanjës, por paralajmëroi se vendosja e pritshmërive të mëdha mbi një 18-vjeçar mund të jetë e padrejtë. Sipas tij, Yamal duhet të lejohet të zhvillohet në rrugën e tij, pa u matur vazhdimisht me një legjendë si Messi.

“Krahasimet janë të padurueshme. Janë lojtarë të ndryshëm. Po, kanë të njëjtën këmbë të majtë dhe cilësi të ngjashme, por janë krejtësisht ndryshe. Rezultatet flasin vetë për atë që Leo vazhdon të bëjë edhe në këtë moshë. Shpresoj që Lamine të arrijë të paktën në atë nivel”, deklaroi Suarez për Mundo Deportivo.

Ish-sulmuesi i Barcelonës vlerësoi edhe ndikimin që Yamal po ka te Spanja në Kupën e Botës 2026. Ai kujtoi ndeshjen ndaj Kepit të Gjelbër, ku sipas tij, hyrja e Yamalit ndryshoi ritmin e lojës së Spanjës.

“Kur Lamine hyri në fushë, u pa menjëherë se të gjithë bashkëlojtarët e kërkonin. Ia pasonin topin sepse e dinin se diçka mund të ndodhte: një krosim, një depërtim, një goditje apo diçka tjetër. Ai tërheq shumë vëmendjen e mbrojtësve”, tha Suarez.

Sipas tij, Yamal është përmirësuar gjatë turneut dhe po e përballon mirë presionin që vjen me statusin e një prej talenteve më të mëdha të futbollit botëror.

Suarez foli edhe për Messin, duke theksuar se jetëgjatësia e tij në nivelet më të larta nuk lidhet vetëm me talentin, por edhe me mentalitetin dhe dëshirën për të konkurruar.

“Kam kohë që stërvitem me të dhe e di si është përgatitur për këtë Botëror. Shumë njerëz menduan se po plakej, por Leo ende ka atë dëshirë të madhe për të mbetur më i miri dhe për të garuar. Ai e tregoi sërish forcën mendore”, u shpreh uruguaiani.

Suarez kujtoi edhe reagimin e Messit pas penalltisë së humbur në fillim të një ndeshjeje, duke thënë se kapiteni i Argjentinës nuk u dorëzua, vazhdoi të kërkonte golin dhe në fund realizoi dy herë.

Ai gjithashtu hodhi poshtë idenë se Messi dhe ai vetë janë relaksuar pas transferimit në Inter Miami.

“Shumë njerëz na pyesin pse ende zemërohemi në stërvitje. Sepse kështu jemi. Kështu kemi garuar që kur ishim fëmijë dhe kështu do të vazhdojmë deri në pensionim”, shtoi Suarez.

Yamal, ndërkohë, vazhdon të jetë një nga lojtarët kryesorë të Spanjës në këtë Botëror. Ylli i Barcelonës ka shënuar një gol dhe ka ndihmuar “La Rojan” të kalojë në fazën me eliminim direkt, ku Spanja do të luajë më 2 korrik në Los Angeles Stadium. /GazetaExpress/