Befasia e sezonit Sunderland dhe liderët e palëkundur Arsenal përplasen në një ndeshje shumë interesante të Premier League këtë të shtunë në orën 17:30 në Stadium of Light.
Skuadra e Mikel Artetës është në kërkim të fitores së gjashtë radhazi në kampionat më 8 nëntor, por do të mbetet në krye të tabelës edhe pas pushimit ndërkombëtar, pavarësisht rezultatit të javës së 11-të.
Një fitore për Sunderland mund t’i bëjë “Macet e Zeza” ndjekësit më të afërt të Arsenalit, pasi të paktën njëra mes Manchester Cityt – që është një pikë më lart – dhe Liverpoolit – që ka epërsi vetëm falë golave të shënuar – do të humbasë pikë në përballjen e tyre të së dielës.
Falë periudhave të dominimit të Sunderlandit kundër Arsenalit në pjesë të ndryshme të shekullit të 20-të, kjo ndeshje nuk është aq e njëanshme sa mund të mendohet, megjithatë “Topçinjtë” mburren me më shumë fitore – 63 kundrejt 50 të Sunderlandit në gjithsej 154 përballje.
Gjatë epokës së Arsène Wenger dhe Mikel Artetës, kjo përballje ka qenë e dominuar qartësisht nga gjigantët e Londrës së Veriut, të cilët nuk kanë pësuar humbje në 12 ndeshjet e fundit kundër Sunderlandit, duke fituar nëntë dhe barazuar tri.
Që nga Kupa FA e sezonit 2011-12, Sunderland nuk ka fituar më ndaj Arsenalit, atëherë kur fituan 2-0 në raundin e pestë falë një goli të Kieran Richardson dhe një autogoli nga Alex Oxlade-Chamberlain, vetëm një javë pas humbjes 2-1 në Premier League.
Rezultati i dytë ishte veçanërisht i paharrueshëm për tifozët udhëtues të Arsenalit, pasi Thierry Henry – që ishte rikthyer në Angli me huazim dy mujor – shënoi golin e fitores në minutën e 90-të për skuadrën e Wengerit.
Megjithatë, Sunderland duhet të kthehet edhe më pas në kohë, në nëntor të vitit 2009, për fitoren e fundit në ligë ndaj Arsenalit, kur triumfuan 1-0 në Stadium of Light falë një goli të vetëm nga Darren Bent.
Së fundmi, Arteta pa skuadrën e tij të fitonte bindshëm 5-1 ndaj Sunderlandit në Kupën EFL të sezonit 2021-22, ku Eddie Nketiah shënoi një “hat-trick” dhe u bashkua në listën e golashënuesve me Nicolas Pepe dhe ish-talentit Charlie Patino.

