Szoboszlai kërkon falje pas një keqkuptimi me tifozët

Mesfushori i Liverpoolit, Dominik Szoboszlai, ka kërkuar falje ndaj tifozëve pas një përplasjeje të tensionuar që ndodhi pas humbjes së rëndë 4-0 nga Manchester City në FA Cup.

Mesfushori hungarez shpjegoi veprimet e tij dhe tentoi të qetësojë situatën, ndërsa njëkohësisht shprehu besimin për një rikthim historik ndaj Paris Saint-Germainit në Ligën e Kampionëve.

Incidenti ndodhi në “Etihad” më 4 prill, kur pas humbjes së thellë, Szoboszlai u pa duke ngritur supet dhe duke bërë gjeste drejt tifozëve mysafirë që po shprehnin pakënaqësinë e tyre.

Pamjet u bënë virale dhe shumë tifozë e cilësuan sjelljen e tij si arrogante, para se Federico Chiesa të ndërhynte për të qetësuar situatën.

Duke folur para ndeshjes së kthimit kundër PSG, Szoboszlai tha: “Ndoshta ishte një keqkuptim mes meje dhe tifozëve. Nuk e kisha me qëllim të keq dhe e di çfarë do të thotë klubi për tifozët dhe çfarë do të thonë tifozët për klubin”.

“Ne bëjmë gjithçka për tifozët dhe nëse ishte keqkuptim, kërkoj falje. Ata duhet ta kuptojnë që ndihem njësoj si ata. Ne jemi me ta dhe shpresoj që edhe ata të jenë me ne”, shtoi ai.

Pas eliminimit nga FA Cup, Liverpooli tani është i detyruar të përqendrohet plotësisht te sfida e madhe në Champions, ku duhet të përmbysë një disavantazh prej dy golash ndaj Paris Saint-Germain në “Anfield”.

Szoboszlai pranoi rëndësinë e kësaj ndeshjeje, duke e cilësuar si një mundësi kyçe për të shpëtuar sezonin dhe për të rikthyer besimin e tifozëve pas një periudhe të vështirë./GazetaExpress/