Trajneri i ri i Chelseat flet për yllin e harruar, Mykhaylo Mudryk

Liam Rosenior, trajneri i ri i Chelseat, ende nuk ka folur me yllin e përjashtuar të skuadrës, Mykhaylo Mudryk. Anësori ukrainas nuk lejohet të stërvitet me “Blutë”, pasi është pezulluar përkohësisht pas një dështimi në testin antidoping.

Rosenior pranon se nuk ka pasur ende mundësinë të bisedojë me Mudryk, i cili u akuzua nga FA-ja në qershor, gjashtë muaj pas fillimit të pezullimit të tij të përkohshëm. Trajneri tha: “Patjetër që është diçka që dua ta bëj – por ka shumë gjëra që dua të bëj dhe nuk kam mundur ende. Ai është një lojtar i mrekullueshëm. Ka kaluar një periudhë të vështirë dhe kur të vijë momenti i duhur, patjetër që do të kem një bisedë me të.”

Karriera e Mudryk mbetet në pezullim, teksa ai dhe Chelsea presin vendimin përfundimtar nga FA-ja. Nëse 25-vjeçari shpallet fajtor për marrjen me vetëdije të substancës së ndaluar Meldonium, ai mund të përballet me një përjashtim deri në katër vjet nga futbolli.

Mudryk u transferua nga Shakhtar Donetsk te Chelsea në janar 2023 në një marrëveshje prej 88 milionë paundësh, por nuk ka luajtur që nga nëntori 2024.

Futbollisti theu heshtjen këtë muaj me një postim në Instagram, që u interpretua si një sinjal se çështja mund të zgjidhet së shpejti: “Gëzuar Vitin e Ri të gjithë tifozëve të mi. Desha vetëm t’ju falënderoj për mbështetjen tuaj. I shoh të gjitha mesazhet tuaja dhe i vlerësoj sinqerisht, ndaj ju lutem mos hiqni dorë nga unë, ashtu siç nuk heq dorë unë nga vetja. Mezi pres t’ju shoh së shpejti.”