UEFA-ja ka reaguar ashpër ndaj vendimit të FIFA-s për të lejuar Folarin Balogun-in të luajë në ndeshjen e radhës të Kupës së Botës ndaj Belgjikës, pavarësisht se sulmuesi ishte ndëshkuar me karton të kuq direkt në përballjen ndaj Bosnjë e Hercegovinës.
Në një deklaratë zyrtare, UEFA-ja e cilësoi vendimin si një precedent të rrezikshëm, duke theksuar se pezullimi automatik prej një ndeshjeje pas një kartoni të kuq është i përcaktuar qartë në rregullore dhe nuk mund të pezullohet apo të shmanget gjatë zhvillimit të një turneu, shkruan Indeksonline.
“Futbolli, si çdo sport tjetër, mbështetet në rregulla, të cilat janë baza e një gare të drejtë, të ndershme dhe transparente. Në këtë rast nuk ka vend për interpretim. Pezullimi automatik minimal prej një ndeshjeje pas kartonit të kuq nuk është një opsion diskrecionar, por një parim i sanksionuar në rregullore”, thuhet në reagim.
Sipas UEFA-s, lejimi i Balogun-it për të luajtur ndaj Belgjikës cenon integritetin e garës, pasi futbollistë të tjerë në të njëjtën situatë kanë vuajtur rregullisht pezullimin e tyre.
“Kur zbatimi i rregullave nuk garantohet më nga institucionet që duhet t’i mbrojnë ato, vihet në pikëpyetje integriteti i lojës dhe dëmtohet besueshmëria e garës. Një vendim i tillë krijon gjithashtu një precedent, duke kërkuar trajtim të barabartë për raste të ngjashme gjatë këtij turneu”, theksohet më tej.
Në fund të deklaratës, UEFA-ja shprehu “mosbesimin” ndaj këtij vendimi, duke e cilësuar atë si “të paprecedent, të pakuptueshëm dhe të pajustifikueshëm”.
/Indeksonline/

