Ylli i Barcelonës thotë se e mendoi transferimin në Arabinë Saudite, mendjen ia ndërroi Flick

Nën drejtimin e Hansi Flick, Barcelona ka arritur në një nivel të ri, pasi për vite me radhë kishte ngecur pas largimit të Lionel Messit. Trajneri gjerman ka qenë një zbulim i vërtetë, duke përmirësuar ndjeshëm shumë lojtarë ekzistues dhe një prej tyre është Raphinha.

Raphinha kishte hasur vështirësi që nga transferimi i tij në vitin 2022 nga Leeds United, por që nga ardhja e Flick ai ka qenë i jashtëzakonshëm. Madje, braziliani pranoi se mund të mos ishte më pjesë e Barcelonës po të mos ishte për trajnerin gjerman, siç tregoi në një intervistë për ESPN Brazil (përmes “Mundo Deportivo”):

“Sigurisht që mendova të largohesha; mendova se ndoshta kishte ardhur koha për t’u ndarë, por pastaj fola me trajnerin, fillimisht në telefon dhe më pas në fillim të përgatitjeve para-sezonale dhe ai arriti të më bindë të qëndroj. Dhe faleminderit Zotit që më bindi.”

“Oferta që morëm nga Arabia Saudite më bëri të hezitoja shumë. Do ta kishte zgjidhur jetën time personale, të prindërve të mi, të djalit tim dhe të shumë njerëzve të tjerë. Jam në futboll që prej moshës 15-vjeçare, kam kaluar momente të mira dhe të këqija kudo, dhe erdhi një moment kur mendova se ishte koha të kujdesesha për veten dhe familjen time.”

Raphinha përfundoi sezonin e kaluar me 34 gola dhe 22 asistime, por nuk e ka nisur kampionatin aktual me të njëjtin ritëm. Deri tani ka 3 gola dhe 2 asistime në 7 paraqitje, ndërsa një lëndim e ka mbajtur jashtë fushës javët e fundit. Megjithatë, pritet që ai të rikthehet së shpejti dhe të rifitojë formën që e bëri një nga lojtarët kyç nën drejtimin e Flick.