Federata e Futbollit të Kosovës s’duhet të mendojë gjatë, një lojtar i madh po e pret ftesën e tyre.
Bëhet fjalë për Valmir Matoshin, mesfushorin që luan te Thun-i në Zvicër dhe është shumë pranë titullit kampion këtë sezon, shkruan Indeksonline
Matoshi ka qenë pjesë e grupmoshave te Zvicra, por ai ende nuk është ftuar nga ekipi i parë “helvetik” dhe kjo ia mundëson atij ndryshimin e kombëtares.
Në mediumet e Zvicrës tashmë raportohet se Kosova ka gjasa “të vjedhë” lojtarin në fjalë edhe pse ky i fundit gjatë një interviste të shkurtër për “20min” – tha se nuk është kontaktuar as nga Murat Yakin e as nga FFK-ja apo Franco Foda.

22-vjeçari gjatë këtij sezoni me Thun-in ka shënuar pesë gola dhe ka bërë katër asiste, duke treguar fomrë të jashtëzakonshme.
Futbollisti në fjalë do t’i kryente punë Kosovës në pozitën e mesfushës, ku për një kohë të gjatë, “Dardanët” çaluan më së shumti.
Kujtojmë se Kosova më 26 mars luan ndaj Sllovakisë, ndeshjen e vlefshme për play-offin e Kupës së Botës 2026./Indeksonline/

