Transferimi i Yan Diomande te Real Madridi është bllokuar përkohësisht, jo për arsye ekonomike mes klubeve, por për shkak të një mosmarrëveshjeje ligjore mes menaxherëve që pretendojnë ta përfaqësojnë futbollistin.
Sipas raportimeve, marrëveshja mes Real Madridit dhe lojtarit është arritur prej kohësh, ndërsa edhe negociatat me RB Leipzig janë në fazën përfundimtare, përcjell “Gazeta Express”.
Megjithatë, procesi nuk mund të zyrtarizohet derisa të zgjidhet konflikti mes palëve që pretendojnë t’i kenë të drejtat e përfaqësimit të sulmuesit nga Bregu i Fildishtë.
Mosmarrëveshja ka bërë që dokumentacioni i transferimit të mos finalizohet, duke e vonuar njoftimin zyrtar të “operacionit”.
Real Madridi mbetet i qetë dhe i bindur se çështja do të zgjidhet në ditët në vijim, pa e rrezikuar marrëveshjen.
Diomande e ka shprehur qartë dëshirën për t’u transferuar te “Los Blancos” dhe nuk po e shqyrton asnjë alternativë tjetër.
Edhe Leipzigu po e pret vetëm zgjidhjen e çështjes mes menaxherëve për ta përfunduar një nga transferimet më të bujshme të kësaj vere. /Gazeta Express

