Presidenti i Francës, Macron kishte rol kyç në rrëzimin e planit të Infantinos, ja prapaskenat…

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka pasur një rol të fshehtë, por vendimtar në dështimin e projektit të diskutueshëm të presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, për shitjen e një pjese të të drejtave tregtare të Botërorit investitorëve privatë.

Sipas raportimeve të “L’Équipe”, Macron zhvilloi kontakte intensive me drejtues të futbollit evropian dhe me disa federata kombëtare, duke i inkurajuar ata ta kundërshtonin planin e FIFA-s, përcjell “Gazeta Express”.

Ndërhyrja e presidentit francez konsiderohet si një nga faktorët kyç që çoi në shembjen e projektit.

Qëndrimi i Francës u koordinua me atë të UEFA-s dhe të disa federatave të mëdha evropiane, të cilat e cilësuan planin e Infantinos si një rrezik për pavarësinë dhe të ardhmen e futbollit, pasi do t’u jepte investitorëve privatë ndikim mbi kompeticionin më të rëndësishëm të FIFA-s.

Presioni i bashkuar i federatave evropiane, i mbështetur edhe nga ndërhyrja politike e Macronit, e detyroi FIFA-n të tërhiqej nga projekti.

Sipas raportimeve, Macron e cilësoi futbollin një pasuri publike që nuk duhet të vihet në shërbim të interesave financiare private.

Macron ishte edhe kundër Superligës evropiane, një ide e klubeve për ta organizuar një garë jashtë kompetencave të UEFA-s, e cila nuk u jetësua kurrë.

Kjo e përbën një nga humbjet më të mëdha politike të Gianni Infantinos që nga marrja e drejtimit të FIFA-s.

Kjo ndërhyrje e ka thelluar edhe më shumë krizën politike brenda FIFA-s.

Pas dështimit të projektit, disa federata evropiane kanë nisur ta tërheqin mbështetjen për Infantonon, ndërsa po shtohen zërat që kërkojnë ndryshime në drejtimin e organizatës. /Gazeta Express