Mjeku ligjor befason me deklaratën e tij: “Maradona mund të shpëtohej…”

Vdekja e Diego Armando Maradonës vazhdon të jetë e rrethuar nga pikëpyetje sa u përket rrethanave dhe përkeqësimit të shpejtë e drastik të gjendjes së tij shëndetësore.

Carlos Cassinelli, ish-drejtor i Mjekësisë Ligjore të policisë shkencore të provincës së Buenos Airesit, e ka akuzuar për neglizhencë të mundshme personelin mjekësor që kujdesej për legjendën e Napolit dhe Argjentinës.

Kjo dëshmi u dha në procesin që po zhvillohet në San Isidro, ku të pandehurit akuzohen për vrasje të thjeshtë me dashje eventuale, shkruan “Tuttomercatoweb”, përcjell “Gazeta Express”.

“Pibe de Oro” mund të ishte shpëtuar, nëse do të ishte trajtuar në kohë.

Ky është versioni i paraqitur nga Cassinelli, i cili u thirr për të dëshmuar në procesin për vdekjen e Maradonës, si eksperti i parë i komisionit mjekësor që analizoi vdekjen.

Sipas ekspertit, ish-ylli argjentinas, përpara shtrimit në shtëpi, vuante tashmë nga insuficienca renale, hepatike dhe kardiake, por këto probleme nuk u morën në konsideratë.

“Ne nuk kemi dyshime se Maradona vdiq për shkak të një insuficience kardiake kongjestive me edemë pulmonare akute, se kaloi një periudhë agonie dhe se kishte patologji të mëparshme. Por me kalimin e ditëve, ai filloi të shfaqte shenja të përkeqësimit të këtyre gjendjeve dhe kjo del në pah nga deklaratat, regjistrimet audio dhe bisedat në chat.”

“Kishte shenja alarmi që tregonin se nuk ishte më në të njëjtën gjendje si në ditët e para. Shtrimi në shtëpi nuk duhej të ishte opsioni i parë, duke e marrë parasysh gjendjen e tij, dhe ne vlerësojmë se ai nuk i mori kontrollet e nevojshme mjekësore.”

Eksperti ligjor vlerësoi gjithashtu se legjenda argjentinase mund të ketë qëndruar në agoni për rreth 12 orë para se të vdiste.

Ndërkohë, shtatë pjesëtarët e personelit shëndetësor të përfshirë në proces e mohojnë çdo përgjegjësi dhe i kundërshtojnë akuzat për neglizhencë. /Gazeta Express