Portieri spanjoll, Kepa Arrizabalaga mund të largohet nga Arsenali vetëm një vit pas transferimit të tij në “Emirates”, falë një klauzole largimi që po konsiderohet jashtëzakonisht e ulët për standardet e futbollit modern.
Sipas raportimeve nga Anglia, në kontratën e 31-vjeçarit ekziston një klauzolë që ia lejon atij të largohet nëse një klub i paguan vetëm 5 milionë funte, pikërisht shumën që Arsenali e shpenzoi për ta transferuar nga Chelsea, përcjell “Gazeta Express”.
Kjo do të thotë se “Topçinjtë” nuk do të kishin mundësi ta kërkonin një shumë më të lartë në rast interesimi nga klube të tjera, pasi aktivizimi i klauzolës do ta hapte rrugën e largimit të portierit spanjoll.
Kepa iu bashkua Arsenalit verën e kaluar si zëvendësues i David Rayas dhe ka ofruar siguri sa herë që është aktivizuar.
Megjithatë, ekzistenca e kësaj klauzole e vendos klubin londinez në një pozitë të vështirë pasi mund të detyrohet ta kërkojë një portier tjetër rezervë nëse lojtari vendos të largohet.
Me afatin kalimtar veror që po afrohet, mbetet për t’u parë nëse ndonjë klub do të përfitojë nga kjo mundësi dhe do ta aktivizojë klauzolën e ulët të ish-portierit të Chelseat dhe Real Madridit. /Gazeta Express

