Fillim i ri për Armando Brojën! Burnley nuk pret përfundimin e sezonit, merr vendimin drastik pas rënies

Tashmë është zyrtare. Bërnli ka mbyllur bashkëpunimin me Skot Parker, pa pritur përfundimin e sezonit. Për Armando Brojën ndërkohë do të jetë një fillim i ri. Bërnli do të luajë në Championship gjatë edicionit të ardhshëm, ndërsa është në kërkim të trajnerit të ri. Stiven Xherard është ndër emrat më të përfolur për të marrë drejtimin e skuadrës.

Njoftimi i Bërnlit:

“Skot Parker është larguar me marrëveshje nga pozicioni i tij si trajner i Bërnlit.

Pas konfirmimit të rënies së klubit nga Premier Ligë javën e kaluar, Parker dhe bordi zhvilluan diskutime dhe ranë dakord që koha e tij ka përfunduar.

Gjatë qëndrimit të tij, Parker udhëhoqi ekipin drejt një sezoni rekord në edicionin 2024/25, duke siguruar ngjitjen e Bërnlit nga Championship në Premier Ligë, me një seri prej 31 ndeshjesh pa humbje, duke mbajtur një rekord prej 30 ndeshjesh pa pësuar gol.

Klubi dëshiron të shprehë falënderimet e tij të sinqerta ndaj Skot për profesionalizmin, përkushtimin dhe kontributin e tij. Ai largohet me respektin dhe mirënjohjen e të gjithë atyre që janë të lidhur me Bërnlin.

Majk Xhekson, i mbështetur nga stafi ekzistues, do të marrë drejtimin e përkohshëm për katër ndeshjet e mbetura në Premier Ligë, duke filluar me ndeshjen e së premtes në transfertë kundër Lids.

Procesi i emërimit të një trajneri të ri përpara sezonit 2026/27 ka filluar”.

PANORAMASPORT.AL