Franco Foda flet për penzionimin e kapitenit Rrahmani nga Kosova: “Nuk ka…”

Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka reaguar pas vendimit të kapitenit Amir Rrahmani për t’u tërhequr nga ekipi përfaqësues.

Rrahmani e bëri të ditur vendimin e tij duke e lidhur atë me vazhdimin e drejtimit të Federatës së Futbollit të Kosovës nga udhëheqja aktuale. Foda ka treguar se ka qenë i informuar drejtpërdrejt nga kapiteni për këtë vendim.

“Gjithçka është shumë emocionale në Kosovë. Fakti është se Amir Rrahamani ka dhënë dorëheqjen. Ai më informoi personalisht për këtë”.

“Por të gjithë lojtarët që janë në formë dhe që do t’i ftoj do të jenë atje të hënën dhe do të përgatiten për ndeshjet së bashku me mua”, ka thënë Foda në CANAL+.

Foda ka mohuar kategorikisht se vendimi i Rrahmanit mund të shkaktojë një valë të re të largimeve nga Kombëtarja. Sipas tij, nuk ka bazë për pretendimet se futbollistë të tjerë po planifikojnë bojkotimin e ekipit përfaqësues.

“Ka shumë dramë që po ekzagjerohet. Ideja se edhe më shumë lojtarë duan të bojkotojnë ekipin kombëtar nuk është e vërtetë”, ka theksuar ai.

/GazetaBlic Sport/