Kombëtarja e Marokut e ka marrë një lajm shqetësues vetëm pak ditë para nisjes së Botërorit 2026.
Sulmuesi i krahut i Real Betisit, Abdessamad Ezzalzouli (Abde Ez), e pësoi një lëndim gjatë ndeshjes miqësore ndaj Norvegjisë dhe tashmë e rrezikon seriozisht pjesëmarrjen në turneun më të madh të futbollit.
Sipas raportimeve nga mediat ndërkombëtare, futbollisti maroken u dëmtua në fund të pjesës së parë pas një përplasjeje në zonë gjatë një situate nga goditja e këndit, përcjell “Gazeta Express”.
Në fillim u mendua se bëhej fjalë për një duel me një kundërshtar, por më pas u raportua se dëmtimi erdhi si pasojë e kontaktit të fortë me një bashkëlojtar gjatë aksionit.
Ezzalzouli mbeti për disa minuta i shtrirë në fushë duke shfaqur dhimbje të mëdha në këmbën e djathtë.
Stafi mjekësor i Marokut ndërhyri menjëherë, ndërsa lojtari nuk ishte në gjendje ta vazhdonte lojën dhe u zëvendësua para pushimit.
Situata e ka ngritur alarmin në kampin e “Luanëve të Atlasit”, pasi debutimi i Marokut në Botëror është shumë afër.
Federata marokene pritet t’i publikojë në orët në vijim rezultatet e ekzaminimeve mjekësore për ta përcaktuar shkallën e dëmtimit.
24-vjeçari konsiderohet një nga armët kryesore në repartin ofanziv të trajnerit Walid Regragui, ndaj mungesa e tij do të ishte një goditje e rëndë për ambiciet e Marokut në Kupën e Botës.
Për momentin mbetet të shihet nëse sulmuesi i Betisit do të arrijë të rikuperohet në kohë, por shqetësimi në kampin maroken është i madh, ndërsa tifozët i presin me ankth lajmet e radhës për gjendjen e tij. /Gazeta Express

