Manchester United vs Sunderland

Sunderland me formë të lartë është skuadra e radhës që do të provojë t’i shtojë vuajtjet e Manchester United, kur të dyja ekipet përballen të shtunën pasdite në “Old Trafford”. Ky është takimi i parë mes tyre që nga prilli i vitit 2017, kur Djajtë e Kuq fituan 3-0 në “Stadium of Light”.

Edhe pse nuk ka sinjale të qarta se drejtuesit e United-it planifikojnë ta shkarkojnë Ruben Amorimin, shumëkush mendon se portugezi po mbahet në stol me fijen më të hollë, pas një fillimi zhgënjyes të sezonit 2025-26.

Djajtë e Kuq kanë humbur tre nga gjashtë ndeshjet e para të Premier League (2 fitore, 1 barazim), duke pësuar 11 gola. Vetëm disa ditë pas fitores 2-1 ndaj Chelseat në shtëpi, ata u kthyen me këmbë në tokë duke u mposhtur 3-1 nga Brentford, që i la në vendin e 14-të në tabelë.

Amorim po përgatitet për ndeshjen e tij të 50-të në krye të United-it, por historia nuk është në anën e tij: asnjëri nga pesë trajnerët e fundit të përhershëm të klubit nuk ka fituar ndeshjen e 50-të, ndërsa i fundit që e ka arritur këtë ishte Sir Alex Ferguson në vitin 1987 kundër Bury.

Megjithatë, një ngushëllim për United është fakti se ata janë të pamposhtur në 24 përballjet e fundit në ligë kundër skuadrave të sapo-promovuara (21 fitore, 3 barazime), prej humbjes 4-1 ndaj Watfordit në nëntor 2021 – ndeshje që i dha fund epokës së Solskjaerit.

Statistikat janë edhe më të favorshme kundër Sunderland-it: United ka humbur vetëm dy nga 30 takimet e fundit në ligë ndaj Tyne and Wear (22 fitore, 6 barazime). Për më tepër, pas dy fitoreve rresht në “Old Trafford”, skuadra e Amorimit synon të shënojë tri fitore në shtëpi për herë të parë që nga seria prej tetë fitoresh mes prillit dhe gushtit 2023.

Nga ana tjetër, Sunderland ka treguar se nuk është në Premier League vetëm për numra. Pas tetë vitesh mungesë, ata kanë grumbulluar 11 pikë në gjashtë javët e para – bilanci më i mirë në këtë fazë të sezonit që prej vitit 1967-68.

“Black Cats” kanë nevojë vetëm për një pikë për të barazuar totalin e Southampton-it gjatë gjithë sezonit të kaluar (12), dhe janë në një seri prej katër ndeshjesh pa humbje (2 fitore, 2 barazime).

Fitorja e fundit 1-0 në fushën e Nottingham Forest pasoi rezultatet pozitive ndaj Brentfordit (2-1), Crystal Palace (0-0) dhe Aston Villas (1-1), duke i dhënë Sunderland-it vetëbesim për një sfidë gjigante në “Teatrin e Ëndrrave”.