Surprizë në Itali, Alegri pranë largimit nga Milani për të firmosur me rivalët për shkak të… Tares

Një lajm i bujshëm është përhapur sot në Itali sa i përket at ardhmes së Masimiliano Alegrit. E ardhmja e trajnerit të Milanit duket larg kuqezinjve, por pakkush e priste që ai të përfundonte duke nënshkruar për rivalët e tyre në kampionat.

“Gazzetta Dello Sport” bën të ditur se Alegri po mediton largimin, ndonëse me kualifikimin në Ligën e Kampioneve, ai do të mund të vazhdonte i qetë punën në klub. Shihet qartësisht që mes palëve ka një krisje dhe për këtë arsye, trajneri po mendon largimin për shkak të një situate në klub ku nuk duket se ka garancinë e një merkatoje siç shpresonte ai.

Për më tepër, theksohet se Alegri ka kërkuar që përkrah të ketë drejtues që e mbështesin, siç ishte Igli Tare dhe jo Zlatan Ibrahimoviç, njeriu më i afërt i presidentit Xherri Kardinale. Vazhdimësia e Ibrahimoviç dhe largimi i mundshëm i shqiptarit, po shtyjnë trajnerin që të bëjë gati valixhet edhe ai, ndonëse klubi do të dëshironte që ai të qëndronte.

Këtu vjen pjesa më interesante, pasi Alegri është kthyer në këto ditë në kandidatin kryesor për pankinën e Napolit, nga i cili do të largohet Antonio Konte me drejtim përfaqësuesen italiane. Tekniku livornez është një profil që pëlqehet nga De Laurentis dhe nuk është çudi që në rast divorci me Milanin, të marrë avionin e parë me destinacion jugun e Italisë për të diskutuar të ardhmen atje. Pse jo, bashkë me Igli Taren i cili në javët e kaluara është shfaqur si një hipotezë reale për rolin e drejtorit sportiv të napolitanëve.

PANORAMASPORT.AL