Thellohet skandali në futbollin italian, Prokuroria e Milanos merr në hetim edhe dizenjatorin e VAR-it! Ja për çfarë akuzohet…

Thellohet skandali në Itali, Andrea Gervasoni, dizenjatori i VAR-it, është gjithashtu mes personave nën hetim nga Prokuroria e Milanos për ndërhyrje të dyshuara ndaj arbitrave dhe sistemit VAR në futbollin italian. 

Sipas raportimeve të “La Repubblica”, akuza ndaj tij është e njëjtë me atë që çoi më herët në vetëpezullimin e designatorit arbitral Xhanluka Roki: mashtrim sportiv në bashkëpunim me persona të tjerë. Hetimet pritet të hedhin më shumë dritë mbi këtë çështje që ka tronditur futbollin italian. 

Sipas dokumenteve të siguruara nga” Agenzia Giornalistica Italia”, çështja lidhet me ndeshjen Salernitana – Modena, të zhvilluar më 8 mars 2025.  

Në qendër të hetimit është penalltia e akorduar për Modenën nga arbitri Antonio Giua. Prokuroria dyshon se Gervasoni ka ushtruar presion mbi arbitrin e VAR-it, Luigi Nasca, për ta shtyrë të thërriste arbitrin për një rishikim në monitor, me qëllim ndryshimin e vendimit fillestar në fushë. 

Emri i Gervasonit nuk është i panjohur për tifozët e futbollit italian. Ai mbahet mend edhe për polemikat e mëdha në ndeshjen Katania vs Juventus, ku anuloi një gol të rregullt të Katanias dhe konfirmoi një gol të diskutueshëm të Juventusit, me asistencën e anësorit të atëhershëm, Luca Maggiani. 

Hetimet vazhdojnë për të zbardhur rolin e secilit person të përfshirë. Nëse akuzat konfirmohen, futbolli italian mund të përballet me një tjetër skandal të rëndë në historinë e tij. 

PANORAMASPORT.AL