Legjenda e futbollit botëror, Zlatan Ibrahimovic, ka bërë një deklaratë të bujshme duke sugjeruar se SHBA-ja mund të shkojë deri në fund dhe të fitojë Kupën e Botës që po zhvillohet në vendin e saj.
Suedezi e dha këtë vlerësim pas fitores së dytë radhazi të amerikanëve në Grupin D, ku skuadra e drejtuar nga Mauricio Pochettino triumfoi 2:0 ndaj Australia, duke siguruar kualifikimin në fazën me eliminim direkt.
“A mund të bëhen kampionë bote? Po. Nëse nuk keni besuar më parë, filloni të besoni. Ata e kanë vendin pas tyre dhe kur e ke atë mbështetje, është e vështirë të mposhtesh. Ata luajtën mirë sot, megjithëse, për të qenë i sinqertë, Australia nuk përbënte ndonjë kërcënim të madh”, u shpreh Ibrahimovic.
Ish-sulmuesi i njohur theksoi se rezultatet dhe forma aktuale janë shumë më të rëndësishme se ajo që ka ndodhur para fillimit të turneut.
“E kam thënë edhe më parë se nuk ka rëndësi çfarë ndodhi para Kupës së Botës. Ajo që ka rëndësi është ajo që ndodh tani. Ata thjesht duhet të vazhdojnë të ndërtojnë vetëbesim nga ndeshja në tjetrën”, deklaroi ai.
Sipas Ibrahimovicit, fakti që SHBA-ja ka siguruar tashmë kualifikimin në raundin e 16-të mund t’i japë trajnerit mundësinë të menaxhojë më mirë skuadrën në ndeshjen e fundit të grupit.
“Do të shohim çfarë ndodh në ndeshjen e tretë. Ata mund t’i pushojnë disa nga lojtarët e tyre sepse janë kualifikuar tashmë. Gjërat po duken mirë”, shtoi ai për FOX Sports.
/GazetaBlic Sport/

