Kristjan Asllani shok skuadre me yllin e Kosovës?! Mesfushori i Kombëtares përfundon nën “radarët” e rivalit të Interit

Kristjan Asllani mund të mbetet në Serie A, por jo duke mbajtur të veshur fanellën e Interit.

Mesfushori i Kombëtares ka përfunduar nën “radarin” e Sassuolos, të cilët kanë bërë sondazhet e para për shqiptarin, përpara se të hidhen me një ofertë konkrete në dyert e zikaltërve.

Duke marrë të mirëqenë se tek kampionët e Italisë, Asllani nuk do të gjente hapësirat e nevojshme, një zhvillim i fundit në radhët e ekipit nga Emilia-Romagna, raporton se Ismael Kone ka pësuar një dëmtim të rëndë që do ta mbajë larg fushave për një kohë të gjatë, ndërsa Kristian Thorstvedt është drejt largimit.

Për 24-vjeçarin nga Elbasani, interesime ka patur edhe nga Cagliari, ndërsa edhe në Arabinë Saudite dhe Turqi ka “sirena” për lëvizje.

Nëse ndodh që Asllani kalon te Sassuolo, ai do të bëhej edhe shok skuadre me yllin e Përfaqësueses së Kosovës, portierin Arijanet Muric.