Rruga e Cesc Fabregasit drejt shndërrimit në një prej trajnerëve më të mirë në futbollin botëror ka edhe më shumë kuptim pasi u zbulua plani i tij i jashtëzakonshëm për ditët e ndeshjeve, nga presidenti i Comos.
Fabregas i hodhi hapat e parë në menaxhim te Como pas një periudhe si lojtar, trajner i të rinjve, ndihmës-trajner dhe trajner i përkohshëm.
Pas promovimit nga Serie B, niveli i dytë i futbollit italian, kampioni i botës u emërua trajner kryesor në korrik të vitit 2024 dhe nënshkroi një kontratë katërvjeçare.
Ai e udhëhoqi skuadrën drejt vendit të 10-të në Serie A – arritja e tyre më e mirë që nga përfundimi në vendin e nëntë në vitin 1987.
Fabregas vazhdoi ngritjen e tij të shpejtë si një trajner elitar duke e udhëhequr Comon drejt vendit të katërt në Serie A sezonin e kaluar – duke siguruar kualifikimin në Ligën e Kampionëve për herë të parë në historinë e klubit.
Ata janë në vendin e tretë në elitën e futbollit italian pas katër ndeshjeve këtë sezon dhe mposhtën RB Leipzigun 4-1 në ndeshjen e tyre të parë evropiane në histori.
Fabregas është përmendur si kandidat për shumë poste të mëdha në menaxhim dhe presidenti i Comos, Mirwan Suwarso, ka zbuluar disa nga praktikat mbresëlënëse që kampioni i botës ndjek para dhe pas çdo ndeshjeje të Comos.
Në një veprim që nuk duket të jetë veçanërisht i zakonshëm në futboll, Fabregas përgatit një dokument të cilin ua dërgon drejtuesve para ndeshjes, në mënyrë që ata të kuptojnë taktikat dhe qasjen e tij për çdo ndeshje.
Sipas Suwarso, kjo i ndihmon drejtuesit ta kuptojnë vendimmarrjen gjatë ndeshjes.
“Cesc në fakt shkruan një plan të ndeshjes, të cilin ua dorëzon drejtuesve 24 orë para çdo ndeshjeje”, tha ai në podcastin “Business of Sport”.
“Pra, pronarët në fakt do të ishin në gjendje ta shikonin ndeshjen dhe të kuptonin se çfarë duhej të kërkonin, në vend që pronari të thoshte: ‘Zot, ai sulmues nuk shënon’. Detyra e tij nuk ishte të shënonte, detyra e tij ishte të krijonte këtë devijim apo çfarëdo qoftë. Si po ndërtojmë aksionin, a po e bëjmë dy plus tre apo dy plus katër? Kush do të tërhiqet për ta hapur hapësirën? Kush po vrapon ku? Pronarët i kanë të gjitha këto informacione”, shtoi ai.
Fabregas ndjek të njëjtën qasje edhe pas ndeshjes, duke përmbledhur çdo takim dhe mënyrën se si është zhvilluar. Në të njëjtën kohë, ekipi i të dhënave i Comos ofron analizën e tij.
Suwarso shtoi: “Pas ndeshjes, Cesc gjithashtu shkruan një raport pas ndeshjes për mënyrën se si u zhvillua ndeshja, bazuar në parashikimin me të cilin nisëm në fillim. Në të njëjtën kohë, ekipi ynë i të dhënave krijon një parashikim se si do të jetë ndeshja – veçmas dhe në mënyrë të pavarur nga ajo që po bëjnë ekipet e trajnerëve. Në fund të ditës, ne i ndajmë të gjitha të dhënat me njëri-tjetrin. Për shembull, kur luajmë kundër një skuadre për të cilën e dimë se luan me bllok të ulët dhe do të jetë shumë e vështirë sepse ka tetë mbrojtës, zakonisht xG-ja e tyre do të jetë 0.8 ose 0.9. Nëse arrijmë në 1.3, por barazojmë 0-0, kemi bërë më mirë nga sa duhej të bënim”.
Fabregas po i hedh hapat e parë si trajner në Itali, në vend të Spanjës, por tashmë ka arritur të zbatojë një stil loje që pasqyron skuadrat më të mira ku ai ka luajtur gjatë karrierës së tij të lavdishme.
Sipas Suwarso, Napoli ishte njëri prej tri klubeve që shprehën interesim për Fabregasin. Ai u lidh për një periudhë të shkurtër me Chelsean, ndërsa është raportuar se Barcelona e sheh atë si pasues afatgjatë të Hansi Flickut.
Në qershor, ish-bashkëlojtari i tij Ashley Cole, i cili sezonin e kaluar drejtoi në Itali me Cesenën, pranoi se Fabregas është “përpara të tjerëve” dhe i ka të gjitha mjetet për t’u bërë një prej më të mirëve në këtë sport.
“Absolutisht”, tha ai për “SPORTbible” kur u pyet nëse Fabregas do të jetë një prej trajnerëve më të mirë në futbollin botëror.
“Ka shumë trajnerë të mëdhenj atje, por ata kanë nevojë për mbështetje dhe mundësi. Cescit i janë dhënë disa lojtarë të nivelit shumë të lartë në atë ligë. Ai është shumë i mprehtë në mënyrën se si e sheh futbollin. Ai është përshtatur taktikisht, është larguar nga stili italian me pesë mbrojtës, përshtatet, lëviz drejt hapësirës ku ajo ndodhet dhe ndryshon gjërat, pavarësisht se çfarë bën kundërshtari. Ai është përpara të tjerëve, por të duhet kohë dhe të duhet mbështetje. Mendoj se ka kaq shumë trajnerë të rinj të shkëlqyer, por duhet t’u jepet kohë”, shtoi ai./GazetaExpress/

