Paris Saint-Germaini e ka kthyer vëmendjen te një prej protagonistëve më të mëdhenj të Kupës së Botës 2026.
Klubi francez po e përgatit një ofertë të rëndësishme për sulmuesin spanjoll Ferran Torres, i cili u shndërrua në hero pasi e shënoi golin vendimtar në finalen e Botërorit kundër Argjentinës.
Sipas raportimeve nga Italia, PSG-ja është gati ta bëjë një përpjekje të madhe për ta bindur Barcelonën që të heqë dorë nga sulmuesi 26-vjeçar, përcjell “Gazeta Express”.
Drejtuesit e klubit parisien e shohin Torresin si një përforcim ideal për repartin ofanziv dhe janë gati t’ia ofrojnë atij një kontratë shumë tërheqëse.
Faktori kryesor që e bën këtë operacion të mundshëm është situata kontraktuale e lojtarit në Barcelonë.
Ferran Torres ka kontratë me klubin katalanas deri në vitin 2027 dhe ende nuk ka arritur marrëveshje për vazhdimin e saj.
Barça dëshiron ta mbajë në skuadër, por situata financiare e klubit dhe kushtet e kontratës i kanë komplikuar bisedimet.
Interesi i PSG-së lidhet edhe me marrëdhënien e mirë mes Ferran Torres dhe trajnerit Luis Enrique.
Trajneri spanjoll e njeh shumë mirë sulmuesin nga koha kur e drejtonte Kombëtaren e Spanjës dhe beson se ai mund të jetë një element i rëndësishëm në projektin e ri të klubit francez.
Torres e ka përjetuar një rritje të madhe të vlerës së tij pas Botërorit.
Goli në finale ndaj Argjentinës e vendosi në qendër të vëmendjes dhe ka bërë që disa klube të mëdha evropiane ta monitorojnë situatën e tij.
Megjithatë, Barcelona nuk dëshiron ta humbasë lehtë një lojtar që konsiderohet pjesë e rëndësishme e projektit.
Klubi katalanas planifikon të diskutojë për vazhdimin e kontratës, por PSG-ja shpreson të përfitojë nga pasiguria aktuale dhe ta bëjë një goditje të madhe në treg.
Në Paris besojnë se Ferran Torres mund të jetë pjesa që mungon në sulmin e tyre dhe janë gati ta paraqesin një ofertë që mund të jetë e vështirë për t’u refuzuar nga lojtari. /Gazeta Express

